LAJMET E MBRËMJES

As në 30 seanca deputetët s’i japin zgjidhje konstituimit të Kuvendit

Edhe një herë tjetër ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kjo përpjekje për funksionalizim të legjislaturës së re ka qenë e 30-ta me radhë. Sërish taborët politikë kanë hedhur përgjegjësinë tek njëri-tjetri derisa janë refuzuar mes vete për bashkëpunime politike, të cilat do ta nxirrnin Kuvendin nga bllokada. Pos kësaj, deputetët të cilëve qytetarët u kanë dhënë përgjegjësi e për të cilat marrin paga i kanë dhënë të drejtë vetes që të fillojnë me bojkotim të seancave

Të mërkurën janë bërë 30 herë që deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit janë mbledhur në seancë konstituive, por nuk kanë arritur që atë ta përmbyllnin me sukses.

Hapja e vazhdimit të seancës konstituive është bërë me mbajtjen e një minute heshtjeje për vdekjen të martën të ish-kryeministrit të Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi.

Për të 22-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjithë herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

“52 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka asnjë, abstenime nuk ka asnjë, nuk kemi kuorum. Ndërpritet seanca dhe shihemi më 13 qershor në orën 11:00”, ka thënë Dehari.

Pas vazhdimit të 30-të të seancës konstituive, deputetë të partive deri tash në opozitë dhe ata të subjektit fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit e kanë adresuar tek njëra-tjetra përgjegjësinë për bllokadën e krijuar në Kuvend. Ata kanë insistuar se secila prej subjekteve ka ofruar zgjidhje, porse edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve nuk ka konstituim dhe as marrëveshje politike për Qeverinë.

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike (PDK), i ka hedhur poshtë të gjitha mundësitë për një marrëveshje politike mes subjektit të tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“As që është pritur e as që kemi dëshirë, e as që është diskutuar për çfarëdo çështjeje që ndërlidhet me çështjet nacionale, me krizën politike e aq më pak për koalicion të mundshëm. Jo, nuk do të më shohësh me zotëri Kurtin duke hyrë në kuvend për të bërë koalicion, e kemi bërë të qartë një gjë të tillë”, është shprehur ai, pas seancës të së mërkurës.

Në të njëjtën vijë me qëndrimin e tij janë shprehur edhe deputetë të Vetëvendosjes.

“Nuk ka apetit dhe nuk ka përkrahje brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion me PDK-në”, ka thënë deputeti i LVV-së, Armend Muja.

E në Lidhjen Demokratike (LDK), parti kjo në të cilën tashmë kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi me LVV-në, kanë insiston për një qeveri tranzicioni. Idenë për këtë lloj qeverie në LDK kanë thënë se do ta elaborojnë më hollësisht gjatë së enjtes.

“Për qeverinë gjithëpërfshirëse më lejoni të ju them që nesër, Lidhja Demokratike e Kosovës do të shpalosë një plan prej 15 pikash, ku do të elaborojë idenë dhe prioritetet që do t’i shihnim si pjesë e kësaj qeverie për një periudhë të caktuar”, ka thënë deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Në ditën kur janë bërë 30 vazhdime të seancës konstituive të Kuvendit, disa deputetë që në 22 vazhdime të fundit kanë qenë vetëm prezentë në sallë porse nuk kanë marrë pjesë me asnjë formë votimi, kanë paralajmëruar si opsion bojkotimin e tyre, pavarësisht se këtë përgjegjësi e kanë marrë nga qytetarët dhe paguhen për të.

“Unë për herë të fundit sot vij, 30 në libër të Guinessit jemi”, ka thënë Nait Hasani i PDK-së. 

E Daut Haradinaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se këtë të drejtë e kanë ligjvënësit.

“Shumica e deputetëve kanë të drejtë edhe ta bojkotojnë tash Kuvendin”, është shprehur ai.
Të dielën e kësaj jave do të bëhen 2 muaj prejse është hapur seanca konstituive, e cila ende nuk ka prodhuar kurrfarë rezultati.