Janë bërë plot 3 muaj qëkur seanca konstituive është hapur, e as të martën deputetët nuk i kanë dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar në Kuvend. As në tentimin e 47-të, legjislatura e nëntë nuk është konstituuar. E sikurse herët e tjera, përfaqësues të dy taborëve politikë kanë akuzuar njëri-tjetrin për dështime
Të martën, në ditën kur janë bërë fiks 3 muaj që nga hapja e seancës konstituive, të zgjedhurit e popullit e kanë shënuar dështimin e 47-të për ta formuar legjislaturën e re.
Për 91 ditë, asnjëri nga deputetët e dy taborëve politikë nuk ka lëvizur nga qëndrimet e betonuara, për t’i kontribuuar zhbllokimit të situatës.
Në partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit – Vetëvendosje, kanë vazhduar me insistimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për kryepalamentarin. E në subjektet që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, kanë refuzuar formimin e Komisionit me mospjesëmarrje në votim.
Grupet parlamentare që nuk kanë propozuar emra për anëtarë Komisioni kanë kërkuar që të respektohet rendi i ditës dhe që në votim të dalë propozimi i LVV-së për kryeparlamentarin.
Përfaqësues të tyre janë përpjekur të shprehin qëndrim në foltore për pak sekonda.
Edhe
Rrugëtimi mbi 100 ditësh i deputetëve që nuk çoi askund
“Për Kosovën, krijimi i unitetit politik nuk është utopi, por domosdoshmëri”, ka thënë Anton Quni, deputet nga radhët e LDK-së.
AAK-ja edhe të martën ka dhënë “propozimin” e njëjtë për anëtar të komisionit.
“Ne si AAK e propozojmë nomadin, Albin Kurti”, ka thënë deputetja Time Kadrijaj (AAK).
E deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se partia që përfaqëson
lufton për respektim të betimit të dhënë të deputetit.
E kur fjala i është ndërprerë, ajo ka zgjedhur mënyrë tjetër për t’u shprehur.
Ka nxjerr disa letra, të shkruara me fond të madh dhe i ka shfaqur para kamerës.
Komisioni është nxjerrë në votim, por ka marrë vetëm 51 vota për, të pamjaftueshme për të vazhduar tutje.
Edhe
Deputetët presin që Kushtetuesja të sqarojë nëse Kuvendi mund të konstituohet pas afatit 30-ditor
Seanca është ndërprerë për të vazhduar pas 48 orëve.
E kur deputetë të Vetëvendosjes e kanë braktisur sallën, ata të partive opozitare kanë nisur diskutimin.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, është përkujdesur për zërimin.
“Me këtë gjendje nuk ka kuptim të bëhemi të rrezikshëm për njëri-tjetrin, duhet të jemi unikë si kurrë më parë dhe të rrezikshëm vetëm për ata që nuk e duan Kosovën stabile”, ka thënë deputeti Anton Quni (LDK).
“Po kërkohet votim i fshehtë që askush të mos e kuptojë se ndihma po vjen nga Lista Serbe. Pa perde, pa dorëza, Albulena Haxhiu dhe votimi i fshehtë nuk kalojnë”, ka shtuar deputetja nga radhët e PDK-së, Arbnore Salihu.
E jashtë sallës, deputeti i LVV-së, Nezir Kraki, ka thënë se subjekti që e përfaqëson nuk llogarit në votat e serbëve, por të shqiptarëve.
Edhe
Dështimi i 49-të i deputetëve
“Jo, sepse para se të shpresojmë tek votat e Listës Serbe, janë 50 deputetë përafërsisht shqiptarë, të cilët unë jam i bindur që shumë prej tyre, në vetëdijen individuale, përgjegjësinë individuale që e kanë marrë si deputetë, do të rreshtoheshin për shtetin, për institucionet në momentin që atyre votimi i fshehtë u mundëson të dalin nga presioni i turmës”, ka thënë Kraki.
Vazhdimi i radhës i seancës konstituive do të zhvillohet të enjten (11:00).