Edhe tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk dha rezultat. Vetëm 50 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë. Partitë që mandatin e shkuar ishin në opozitë, e akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje se është duke e kërcënuar rendin kushtetues në Kosovë. E, sipas LVV-së, përgjegjësia u takon partive opozitare që po refuzojnë të marrin pjesë në votim
E shtuna mblodhi më pak deputetë sesa zakonisht për vazhdimin e radhës të seancës konstituive.
Të 90-tët sa ishin prezentë, dështuan për herë të 49-të që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Para se të niste seanca, një nga asistentet e grupit parlamentar të Vetëvendosjes u fut në sallë dhe e zëvendësoi me flamurin kombëtar atë të kompanisë Noa, që deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ia vendosi në tavolinë deputetit Albin Kurti, seancën e kaluar.
Sërish nuk u lejua debat nga kryesuesi, por disa nga deputetët që dolën në foltore për t’i bërë propozimet për anëtarë të Komisionit për votimin e fshehtë, i thanë disa fjalë.
“I nderuari kryesues, është mirë të ktheheni në rendin e ditës dhe të mos e shkelni kushtetutën”, tha deputeti nga radhët e PDK-së, Artan Behrami.
Kritika bënë edhe nga LDK-ja e AAK-ja.
“Në emër të LDK-së, në emër të qytetarëve, me përgjegjësi të plotë ju ftoj ta zbatoni rendin kushtetues”, u shpreh Arjeta Abazi (LDK).
“Në emër të AAK-së dhe në emër të popullit të Kosovës, ia urojmë kthimin në shtetin e Kosovës deputetit Albin Kurti, shpresojmë ke kaluar mirë”, shtoi Time Kadrijaj (AAK).
Vetëm 50 vota i mori Komisioni për votimin e fshehtë, pamjaftueshëm për formimin e tij. Seanca u ndërpre dhe përpjekja e 50-të u caktua për të hënën.
Por në sallë qëndruan deputetët e tri partive deri tash në opozitë, të cilët e akuzuan Vetëvendosjen dhe partitë në koalicion me të se po e kërcënojnë rendin kushtetues dhe demokracinë në Kosovë.
“Parti që e keqpërdorin të drejtën për ta propozuar kryetarin e Kuvendit për agjenda antidemokratike, që kërcënojnë me përmbysje të rendit kushtetues, që e mbajnë peng Kuvendin, Qeverinë dhe e shkelin Kushtetutën, ligjin dhe të gjitha normat”, tha Behrami i PDK-së.
Edhe nga LDK-ja e AAK-ja e kritikuan partinë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje.
“Qytetarët e meritojnë një Kuvend që funksionon dhe një Qeveri që jep llogari”, u shpreh deputetja Abazi (LDK).
“Albin Kurti po mburret, po thotë qeverisje 2+, jo nuk është 2+, i ke uzurpu institucionet, e ke uzurpu Kuvendin e Kosovës, e ke uzurpu Qeverinë e Kosovës”, shtoi deputetja Kadrijaj (AAK).
E, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se pengesë e konstituimit të Kuvendit janë deputetët e partive opozitare, të cilët nuk po marrin pjesë në votim.
“Grupi ynë parlamentar mbetet i vetmi grup politik që e ka vullnetin konstruktiv, që e ka vullnetin konstruktiv për të dalë nga kjo situatë, sepse ne jemi të vetmit ata që thërrasim takime me partitë politike, që vijmë votojmë në Kuvendin e Kosovës ne jemi të vetmit ata që propozojnë alternativa për të dalë nga kjo situatë”, theksoi Abrashi.
Të shtunën e ardhshme përfundon afati 1-mujor që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese për konstituim të Kuvendit.