Arbëri

Rrugëtimi mbi 100 ditësh i deputetëve që nuk çoi askund

Saga mbi tremujore, ende e papërfunduar për konstituimin e Kuvendit, është karakterizuar me situata të ndryshme: nga refuzimi për verifikimin e mandatave, dështimi për t’i siguruar 61 votat e nevojshme nga Lëvizja Vetëvendosje për të propozuarën e tyre, e deri tek insistimi për votimin e fshehtë. Janë plot 54 tentime për konstituimin e legjislaturës së nëntë dhe kjo zvarritje nuk është e vetmja ndër vite

Rreth 4 orë e gjysmë punë kanë bërë deputetët e legjislaturës së re të Kosovës, që nga nisja e seancës konstituive të Kuvendit, gati tre muaj e gjysmë më parë.

Në vendin e tyre të punës ata u shfaqen çdo dy ditë e detyrën e përfundonin për pothuajse 5 minuta.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë u hap më 15 prill. Punimet e saj u ndërprenë qysh në shqyrtimin e pikës së parë, atë të verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur. Tri partitë deri tash në opozitë, i kundërshtuan mandatet e anëtareve të Qeverisë, pa dorëheqjen nga postet e tyre ekzekutive.

Për shkak të mospajtueshmërive mes subjekteve politike, konstituimi i Kuvendit dështoi edhe në përpjekjen e dytë me radhë. Dy taborët politikë e fajësuan njëri-tjetrin për bllokadën.

“Këta jo që s’kanë shumicë, por nuk janë as afër shumicës dhe unë i ftoj që të mos e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. 

“Kishte kushte për votim, do të duhej të votohej dhe më pas vendimi final do të merrej nga votat e deputetëve të Kosovës”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

“Nëse opozita nuk dëshiron që të diskutojë fare as se çfarë të diskutojë me atë raport, dokument, po mbesim kështu ose po drejtohemi, siç e përmenda ma herët, në zgjedhje të reja”, tha deputetja nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari Lila.

Pengesa për verifikimin e mandateve u kalua në tentimin e tretë. Por në seancën e 19 prillit, për dy herë radhazi dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Asaj i munguan votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të legjislativit edhe në katër tentimet e radhës. 

Nga dështimi për t’i siguruar 61 vota pro Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje tentoi ta ndërrojë mënyrën e votimit. Nga i hapur, VV-ja provoi që ta mbyllë procesin e votimit. Votimin e fshehtë e kundërshtuan partitë deri tash në opozitë.

Kërkuan që VV-ja ta ndërrojë kandidaten e propozuar e jo mënyrën e votimit. 

Por me pretendimin se i takon e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit, partia e dalë e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, insistoi në themelimin e komisionit  për votim të fshehtë plot 46 herë.

Kur u futën në muajin e tretë të dështimit të konstituimit, Gjykata Kushtetuese i obligoi deputetët që ta përmbyllin seancën e nisur më 15 prill brenda 30 dite.

Por as vendimi i Kushtetueses nuk kreu punë. Kësisoj, rrugëtimi për formimin e institucioneve ka hyrë në një fazë tjetër, atë të vendosjes se me çfarë pasoja juridike do të përballet përbërja e legjislativit për dështimin e konstituimit.

E telashet me konstitumin e Kuvendit e kanë përcjellë Kosovën ndër vite.

Katër vjet më parë, funksionalizimi i legjislativit qe i shpejtë. Nga zgjedhjet e 14 shkurtit u deshën pak më shumë se një muaj për zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit.

Më shumë kohë për t`u zgjedhur kryetar, Konjufcës i mori më 2019. Derisa zgjedhjet u mbajtën më 6 tetor, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kuvendi arriti të konstituohet tek në fund të dhjetorit.
Tre muaj nga dita e zgjedhjeve zgjati konstituimi i legjislaturës së gjashtë. E dyfish më shumë se kaq mori kohë konstituimi i Kuvendit më 2014. Ndonëse fillimisht kryetar Kuvendi u zgjodh Isa Mustafa, një vendim i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi ushtrimin e detyrës nga ai. Kësisoj, pesë muaj nga zgjedhja e Mustafës në krye të Kuvendit, e 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve më 2014, legjislatura e pestë u konstituua në fillim të dhjetorit, me Kadri Veselin kryeparlamentar.