LAJMET E MBRËMJES

Dështimi i 23-të i deputetëve

Seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur as në vazhdimin e 23-të. Palët kanë mbajtur qëndrimet e moçme, ndërkaq kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se ka pasur marrëveshje verbale me Vetëvendosjen, që ai të bëhet kryeparlamentar

Nuk ka prodhuar rezultat as tentimi i 23-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit.

Në vazhdimin e seancës konstituive, të enjten, për të 15-n herë, kryesuesi propozoi të formohet Komisioni për ta zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Por, ngjashëm si deri më tash, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë për komision dhe as nuk morën pjesë në votim për anëtarët e propozuar nga subjektet e tjera.

“55 deputetë kanë votuar për, kundër ka votuar një deputet, abstenime nuk ka. Nuk kemi kuorum, seanca ndërpritet, shihemi më 31 maj në 10:30”, ka thënë kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, e akuzuan Vetëvendosjen se, si parti e parë, nuk është e interesuar ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike.

“Vërtet është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim përkundër gatishmërisë së një pjese të madhe të deputetëve, përfshirë partitë që kanë qenë në opozitë për ta konstituuar Kuvendin me një kandidaturë për kryetar a kryetare, që është e pranueshme për shumicën”, ka thënë deputeti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Akuza VV-së i janë adresuar edhe nga LDK-ja.

“Lëvizja Vetëvendosje, parlamentit të Kosovës ia jep për të 23-tën herë pauzën prej 48 orëve. Ne kemi filluar një seancë e cila assesi nuk po përfundon. Po punojmë 3 minuta dhe kemi pauzë 48 orë dhe kjo është papërgjegjësi e partisë së parë”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.

Por, përfaqësues të Vetëvendosjes thanë se janë subjektet e tjera politike përgjegjëse për bllokadën.

“Abelard Tahiri, dje tha që më e keqe se bllokada do të ishte formimi i Qeverisë Kurti. Unë e përgëzoj fort atë për këtë deklaratë, sepse më në fund edhe opinionit publik ia ka shpjeguar të gjitha arsyet, edhe thelbin edhe boshtin, e obstruksionit në konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar deputeti Armend Muja.

E, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me cilindo tabor që e siguron shumicën, ka thënë se konstituimi mund të bëhet vetëm me marrëveshje politike.

Ai përsëriti se kushti i tij për koalicion me LVV-në është pozita e kryeparlamentarit, dhe theksoi se për këtë ka pasur marrëveshje verbale.

“Por, unë të them të drejtën, në marrëveshjen gjentelmene edhe marrëveshjen me shkrim nuk bëj dallime, unë personalisht, kur futemi në tema të tilla. E rëndësishme është që tanimë janë disa mundësi, a do të shfrytëzohen nuk e di”, ka thënë Limaj.

Në Vetëvendosje konfirmuan edhe takimin e fundit mes Limajt e nënkryetarit të kësaj partie, Glauk Konjufca.

“Ne po bëjmë përpjekje, çfarëdo që po mundemi që ta konstituojmë Kuvendin. S’shoh diçka të jashtëzakonshme. Sigurisht që këto diskutime mund dhe do të bëhen në të ardhmen edhe me Limajn”, ka thënë deputeti Muja.

Në PDK nuk treguan nëse do ta votonin Limajn për kryeparlamentar, nëse atë e propozon LVV-ja.

“Unë nuk do të spekuloj, sepse me këtë logjikë nesër z. Kurti mund ta propozojë edhe dikë prej partive të tjera, mbetet të shihet”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Votën nuk e premtoi as kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ani se në zgjedhje pati koalicion me Nismën.

“Sa i përket emrit të zotit Limaj, nuk kemi ndonjë qëndrim, nuk kemi marrë ndonjë qëndrim të tillë”, ka deklaruar Haradinaj.

Për çështjen e bllokadës së krijuar në konstituimin e Kuvendit, AAK-ja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila nga mesi i majit e ka në trajtim kërkesën.