Asnjë veprim nuk është ndërmarrë për konsultime e konsensus për ta tejkaluar bllokadën në Kuvend, ndonëse deklarime për këtë dhanë dy liderë partish të premten. Përfaqësues të partive kanë mbrojtur qëndrimet e deklaruara deri tash dhe kanë përsëritur akuzat përkitazi me dështimin e deritashëm për ta konstituuar Kuvendin
Nuk janë parë veprime në funksion të arritjes së një konsensusi politik, një ditë pasi përfaqësues të dy partive politike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, shtruan nevojën për konsulta e konsensus përpara se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ta propozojë deputetin e radhës për kryeparlamentar.
Të tri propozimet e deritashme për këtë post nuk kanë marrë votat e mjaftueshme. E, krahas abstenimit të vazhdueshëm të 3 deputetëve të Nismës, ndryshe nga herët e tjera, të premten abstenuan në Kuvend edhe ligjvënësit e AAK-së, të cilët deri këtë ditë i ishin bashkuar kolegëve të tyre të Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK), në votën kundër.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se janë disa deputetë të LVV-së, të cilët po të propozohen për kryeparlamentar, do të mund të marrin votat e mjaftueshme.
“Ne kemi thënë që ka emra që ne mundemi me i votu nga Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë që të mos e kemi këtë ngërç institucional që 6 muaj, mirëpo që partia e parë nuk ka reflektuar. Aty për aty e propozojnë Saranda Bogujevcin, Glauk Konjufcën ose Shqipe Selimin që kemi thënë që janë emra që ne do t’i votojmë, mirëpo nuk kemi gjetë bashkëpunim”, ka thënë Kadrijaj.
Para se të mbahej vazhdimi i radhës i seancës të premten, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shtroi nevojën për konsulta ndërpartiake, përpara se të ofrohet propozimi. Ai tha se në bisedime, mund të gjendet ndonjë emër konsensual.
Ndërkaq, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, theksoi se s’mund të llogaritet në votën për, pa një marrëveshje politike me LVV-në, për ta krijuar shumicën. Ai ka pasur disa takime me Albin Kurtin, i cili e drejton partinë që ka fituar zgjedhjet, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka thënë se subjekti politik që i përket është i gatshëm të bëhet pjesë e konsultimeve që sa më parë, në mënyrë që të të dilet nga bllokada.
“Ne besojmë se zgjedhjet parlamentare kanë dhënë një verdikt të qartë dhe është përgjegjësi e forcave politike që sa më shpejt të krijohet një shumicë parlamentare përmes një marrëveshjeje politike. Nisma është e gatshme të marrë pjesë në konsultime konstruktive me qëllim të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë”, ka thënë Izmaku.
E, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se partia që ka fituar zgjedhjet, që nga fillimi ka bërë ftesat dhe lëvizjet e nevojshme në drejtim të konstituimit të institucioneve. Ai k afajësuar partitë oponente për situatën.
“Subjektet opozitare janë të barrikaduara. Ditë e më shumë janë duke e shpalosur veten si bllokues ashtu siç kanë qenë që nga fillimi. Edhe pas vendimit të Kushtetueses kur është urdhëruar për ndërrim emrash, opozita sërish është në pozicion të barrikaduar që dëshmon edhe njëherë se qellim të vetëm e kanë bllokimin e themelimit të institucioneve. Ata sot as nuk duan themelim institucionesh e as nuk janë për zgjedhje të reja. Thjesht janë të bllokuar dhe janë bllokues”, ka thënë Manxhuka.
Por, të kundërtën e kanë thënë në partinë e dytë dhe në atë të tretë, për kah fuqia në Kuvend.
Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se për ta zhbllokuar situatën e krijuar, ligjvënësit e këtij subjekti politik janë të gatshëm të votojnë kandidatë që nuk kanë qenë pjesë e Qeverisë.
“Ne kemi dhënë edhe kompromisin tonë edhe pa na u kërkuar nga partia e parë dhe kemi thënë që jemi të gatshëm të votojmë dikë nga deputetët të cilët nuk kanë shërbyer si ministra në kabinetin e kaluar të kryeministrit Kurti dhe përjashtuar disa deputetë tjerë që kanë qenë më përçarës, pra është një shumicë brenda LVV-së, që ne mund ta votonim”, ka thënë Tahiri.
Edhe në Lidhjen Demokratike (LDK) kanë mbajtur qëndrim të njëjtë. Kjo parti është e vetmja nga subjektet shqiptare që ka qëndrim për të mos e votuar asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja, pa pasur marrëveshje politike.
Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka thënë se inatet e kaluara të LVV-së kanë krijuar një frymë bllokimi në Kuvend.
“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, ne besojmë se rruga e parë dhe më e duhur është konsultimi dhe dialogu për konstituimin e institucioneve. Problemi politik në të cilin ndodhemi lidhet me qasjen përjashtuese të LVV-së, e cila për shkak të inateve të kaluara ka krijuar një frymë bllokimi në Kuvend. Ata nuk i kanë numrat për shumicë, u mungojnë katër deputetë dhe kjo nënkupton se zgjidhja varet nga gatishmëria e tyre për dialog dhe ndarje të përgjegjësive me partnerët”, ka thënë Xhaferi. “Prandaj, nevojitet pjekuri politike nga LVV-ja për të dalë nga kjo situatë. Kosova nuk mund të mbetet peng i inateve politike. Qytetarët meritojnë institucione funksionale, stabilitet politik dhe fokus te problemet reale ekonomike e sociale”.
Që kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar ta përmbyllin atë, megjithëse u mbajtën mbi 50 vazhdime.
Pas dështimit të së premtes, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përmendur zgjedhjet e parakohshme nacionale, si opsion për të dalë nga kriza.
Por, deputeti Abelard Tahiri, thotë se duhet shterur të gjitha mundësitë për konstituimin e institucioneve, para se të flitet për zgjedhje.
“Nuk mendoj që zgjedhjet e 9 shkurtit janë mbajtur, që zgjedhjet të përsëriten brenda një kohe”, ka thënë ai.
Kundër është shprehur edhe deputetja e Nismës, Xhevaire Izmaku.
“Shkuarja në zgjedhje të reja nuk duhet të jetë zgjedhja e parë, por e fundit”, ka thënë ajo.
Vazhdimi i radhës i seancës konstituive u caktua për të dielën. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë, nga të cilat pesë ditë janë konsumuar.