Një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë aktgjykimin për seancën konstituive, përfaqësues të partive politike janë pajtuar që të ulen përreth një tryeze, me synimin për ta gjetur zgjidhjen që i jep fund bllokadës. Por deputetët nuk i kanë dhënë interpretim të njëjtë aktgjykimit. Ndërkaq, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka theksuar se do të tërhiqej nga kandidimi, në rast se nuk do t’i marrë 61 vota nëpërmjet votimit të fshehtë
Taborët politikë kanë reflektuar të premten pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për bllokadën në konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit.
Me ftesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, përfaqësues të partive do të takohen të shtunën nga ora 16:00, me synimin për ta gjetur një zgjidhje, e cila, sipas gjykatës, duhet të arrihet brenda 30 ditësh.
“Sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka njoftuar Kurti.
Ky takim dhe aktgjykimi i Kushtetueses janë bërë shkak që të premten me unanimitet të vendoset që vazhdimi i 38-të i seancës konstituive të shtyhet për të dielën.
“Sot u mblodhëm me përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultë. Të gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërpritet. Pasi të mbahet nesër takimi, të vazhdojmë me seancën”, ka thënë Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive.
Pas shtyrjes së vazhdimit të seancës, e propozuara e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të reflektojë po qe se nuk i merr 61 votat e nevojshme nëpërmjet votimit të fshehtë.
“Në rastin e votimit të fshehtë, ku votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ashtu siç ka kërkuar dhe obliguar Gjykata Kushtetuese, nëse unë, si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk i marr së paku 61 vota, atëherë tërhiqem nga kandidatura për kryetare të Kuvendit”, është shprehur ajo.
E, deputetët e tjerë i kanë prezantuar edhe të premten qëndrimet e mëhershme për mënyrën se si duhet që t’i jepet fund bllokadës në konstituimin e Kuvendit.
Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur asnjë shkelje në tentimin për ndryshimin e formës së votimit.
“Kuvendi duhet nëpërmjet një vendimi t’ia japë një epilog votimit të fshehtë. Sepse në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka kurrfarë instruksioni i cili thotë se duhet të kthehemi dhe të tërhiqemi nga votimi i fshehtë”, ka thënë Glauk Konjufca, deputet i LVV-së.
Por përfaqësues të partive politike që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, i kanë bërë lexim ndryshe aktgjykimit.
“Gjykata ka thënë që rendi mund të ndërrohet në seancat plenare e jo në seancë konstituive. Në këtë mënyrë, duke e ndërruar rendin e ditës, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë Përparim Gruda, deputet nga radhët e Partisë Demokratike (PDK).
E Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), ka theksuar se Kushtetuesja i ka konfirmuar qëndrimet e saj që për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend duhet kompromis e marrëveshje.
“LDK-ja e ka thënë sa herë që kryetari i Kuvendit duhet të votohet me marrëveshje politike, ne derisa nuk kemi marrëveshje politike dhe nuk do të kemi, nuk do të votojmë. Kemi votë kundër për secilin kandidat për kryetar, të cilin e propozon Lëvizja Vetëvendosje. U takon atyre që t’u përshtaten kërkesave të partive të tjera”, ka thënë deputetja e LDK-së.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila e ka kërkuar interpretimin e Kushtetueses për votimin e fshehtë gjatë seancës konstituive, kanë thënë se aktgjykimi i Gjykatës përcakton për kthim në votim të hapur për kryeparlamentarin.
“Janë pjekur kushtet që të kthehet praktika e votimit të hapur, janë krijuar këto kushte. Gjykata e ka dhënë shpjegimin. Njëkohësisht janë pjekur kushtet për konsulta për t’u dakorduar për kandidatin”, ka thënë Ramush Haradinaj, deputet dhe kryetar i AAK-së.
Në aktgjykimin e saj Gjykata Kushtetuese nuk ka saktësuar si duhet vepruar me formën e votimit dhe as nuk ka sqaruar se çfarë do të ndodhë pas 30 ditësh, po qe se deputetët nuk e konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit.