Arbëri

Vetëvendosja e mban kandidaturën e Haxhiut për kryeparlamentare

Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit, Kuvendi ka njoftuar për rikthimin e seancës konstituive të mërkurën në ora 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës. Derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ata të partive oponentë kërkuan sjellje konform Aktgjykimit të Kushtetueses. E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar prej deputetëve përgjegjësi dhe e ka cilësuar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve

Deputetët e legjislaturës së nëntë do t’i rikthehen seancës konstituive të mërkurën në orën 11:00. Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, administrata e Kuvendit ka dërguar njoftimin për seancën me dy pika të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës. 

Sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi. 

Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Në vazhdimin e seancës më 20 gusht, kjo parti do të propozojë sërish Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ka konfirmuar për REL-in, deputeti Arbër Rexhaj.

“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, ka thënë ai.

Kolegia e tij, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se për kandidatin do të vendosë kryesia e Vetëvendosjes, por ka theksuar se personalisht vlerëson se nuk ka arsye të ndërrohet ajo. 

“Sipas asaj që thotë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne do t’i rikthehemi procedurës nesër në Kuvend. Grupi parlamentar pritet të takohet ose sot më vonë ose nesër në mëngjes para seancës së Kuvendit në mënyrë që të flasim për atë se si do të veprojmë tutje”, ka thënë Kryeziu-Hyseni për KSP.

“Unë personalisht mendoj se nuk ka arsye që të tërhiqet emri i Albulena Haxhiut vetëm pse kështu po kërkojnë partitë opozitare në Kuvend dhe mandej unë besoj se edhe nëse do ta ndryshonim emrin edhe për kandidatin e dytë që Lëvizja Vetëvendosje do ta propozonte, do të kishim ndonjë kritikë”.
Rexhaj, ndërkaq, ka rikujtuar se kryeministri në detyrë dhe udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka shprehur shqetësim për kufizimin që ajo ka vendosur: një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë.
Përfaqësues të subjekteve politike oponentë të Vetëvendosjes – Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike – kanë deklaruar se aktgjykimi është i qartë dhe se do të sillen konform tij, si dhe kanë akuzuar Vetëvendosjen për sulm ndaj gjykatës. 

“Natyrisht që është detyrim kushtetues që deputetët e zgjedhur të respektojnë, janë detyrime të prera që ne do t’i marrim në konsideratë. Ne do të jemi në nivel të detyrës duke ardhur në Kuvend e duke bërë përpjekje serioze që të dalim nga kjo situatë e ngërçit politik”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. “Janë të pakuptueshme dhe të rrezikshme për demokracinë sulmet me gur, linçimi dhe përpjekja që aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të degradohet e të provohet të linçohet nga eksponent të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Ajo ka paralajmëruar votë pro kryeparlamentarit nëse Vetëvendosje e ndërron kandidatin, por jo edhe për deputetët që kanë qenë pjesë e qeverisë Kurti 2. 

“Në seancat e para kur është vënë në votim emri i zonjës Haxhiu ne kemi votuar kundër. Janë gjashtë seanca të cilat PDK-ja me vullnetin e saj politik, deputetët kanë votuar kundër zonjës Haxhiu. Ne nuk jemi bërë pjesë e votimit vetëm kur është provuar që të shkelet, jo vetëm rregullat e Rregullores së Kuvendit, por është provuar të shkelet Kushtetuta e Kosovës, pra duke imponuar një votim të cilin nuk kishte dakordim”, ka thënë Deliu-Kodra. 

Ndryshe prej PDK-së, në LDK kanë thënë se nuk do të votojnë pro cilitdo kandidat të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

“Ne gjithherë kemi marrë pjesë në votim. Neve na është pamundësuar votimi qysh është thënë edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht që do të marrim pjesë”, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. “Kësaj radhe besoj nuk ka hapësirë. Ka qenë i qartë aktgjykimi i parë, por kësaj radhe nuk ka fare hapësirë për keqinterpretim nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje siç është bërë në rastin e pare. Konsiderojmë se është jashtëzakonisht i qartë kufizimi deri në 3 herë për të njëjtin kandidat dhe ai shkon në funksion të de-bllokimit të situatës. Lëvizja Vetëvendosje në këtë rast, por asnjë parti tjetër në të ardhmen nuk mund të bllokojë institucionet duke u lidhur për emrin e një kandidati, kështu që e kemi parë si të qartë dhe si një vendim i mirë”.

E presidentja Vjosa Osmani e ka konsideruar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në një reagim, një ditë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, theksohet se zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin në arenën ndërkombëtare.

“Presidenca apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t'i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, shkruan në komunikatën e Presidencës. Tutje, deputetëve u janë përmendur sfidat globale, që sipas Presidencës, e prekin edhe Kosovën. 

“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, shkruan në komunikatë. 

Thirrje për konstruktivitet dhe konsensus mes subjekteve politike për formimin e institucioneve kërkuan edhe përfaqësues të shoqërisë civile. 

“Edhe pse Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtën LVV-së si subjekt i parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kjo nuk e përjashton nevojën për konsensus dhe marrëveshje politike. Në këtë moment, detyrimi politik për LVV-në është i qartë: të ulet në tavolinë me subjektet e tjera, të negociojë dhe të gjejë një personalitet që mund të marrë besimin dhe votën e deputetëve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit. Problemi është se LVV-ja këtë të drejtë shpesh e ka trajtuar si privilegj absolut, duke injoruar faktin se sistemi ynë proporcional është i ngritur mbi kompromisin dhe marrëveshjen politike. Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme dhe askujt nuk i jepet pushtet i pakushtëzuar”, ka shkruar në Facebook Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së. “Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje. Kompromisi është parimi që garanton funksionimin e institucioneve – nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, te presidenti, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te përfaqësimi i komuniteteve. Prandaj, LVV-ja duhet të kuptojë se ndryshimi i qasjes është i  domosdoshëm. Çdo e drejtë kushtetuese që i jepet, nëse nuk mbështetet me gatishmëri për marrëveshje, mbetet vetëm një hap formal dhe i pamjaftueshëm për të garantuar funksionalitetin e institucioneve”.

Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nisi të rrjedhë nga e marta. 

Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstituojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar. 

Përmes një komunikate LVV-ja akuzoi Kushtetuesen se Aktgjykimin e nxori për interesa të opozitës dhe në mënyrë arbitrare. Sipas LVV-së, Gjykata nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh.

“Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata. Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat”, thuhet në reagim.

Që kur nis i seanca konstituive më 15 prill, deputetët mbajtën 54 vazhdime deri më 26 korrik, por dështuan ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.