LAJMET E MBRËMJES

Partitë politike, skeptike se Kushtetuesja do të ofrojë zgjidhje për ngërçin

Për herë të 29-të ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës. Partitë politike nuk kanë ndryshuar qëndrime, teksa zyrtarë të tyre janë shprehur skeptikë që zgjidhjen do ta ofrojë Gjykata Kushtetuese. Në shenjë proteste ndaj moskonstituimit, të hënën, janë zhvilluar aksione simbolike para hyrjes së Kuvendit

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e formimit të Komisionit për votim të fshehtë nuk është duke u parë si zgjidhje e ngërçit politik nga një pjesë e partive politike. Sipas PDK-së e LDK-së, kriza aktuale është politike dhe kërkon zgjidhje të tillë, e cila nuk mund të ofrohet nga Gjykata Kushtetuese.  

Vlerësimin e gjykatës, nëse formimi i këtij komisioni është kushtetues apo jo, e ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kërkesa i është dorëzuar Kushtetueses më 12 maj. Ky adresim përveç deputetëve të AAK-së, është përkrahur edhe nga ata të PDK-së e LDK-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i bindur se vlerësimi i Kushtetueses nuk do të ofrojë zgjidhje, me gjithë përkrahjen që i kanë dhënë AAK-së. “E kam thënë dhe po e përsëris: Nuk kemi krizë politike, kushtetuese, kjo është krizë politike. Dhe kriza politike kërkon zgjidhje politike. Nuk mundet Gjykata Kushtetuese me na e zgjidh këtë situatë”, ka thënë ai.

Të njëjtin qëndrim në lidhje me situatën e ndan edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa. Sipas tij, Kuvendi nuk është duke pasur mangësi në interpretime juridike. “Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur që të gjejë zgjidhje për ngërçe politike por vetëm për ato juridike e kushtetuese”.

E cilido që të jetë vlerësimi i Kushtetueses, sipas Krasniqit të PDK-së, verdikti u takon vetë deputetëve.

“... Kushtetuta e parasheh në mënyrë shumë të qartë që deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues, duke përfshirë edhe atë aktgjykim”, ka thënë Krasniqi.

Të pafuqishme përballë autoritetit të deputetit në situatën e tashme, Kushtetuesen e vlerëson edhe Mustafa. 

“Kushtetuta e Kosovës nuk njeh formë, mekanizëm për të obliguar deputetët e Republikës së Kosovës për të vepruar ose mosvepruar në çfarëdo forme”, deklaroi në anën tjetër Mustafa

Në Lëvizjen Vetëvendosje presin që vlerësimi i Gjykatës të jetë në favor të formimit të komisionit. Sipas deputetes Donika Gërvalla, Kushtetuesja duhet sa më parë të adresojë çështjen për votimin e fshehtë. 

“Me logjikën time nuk shoh asnjë mundësi që Gjykata Kushtetuese të thotë se votimi i fshehtë i cili është i paraparë nga Kushtetuta të jetë kundërkushtetues. Këtu ka një, edhe vetë vonesa tregon se ka një dilemë të madhe se si të vijë përgjigjja. Se nuk mund të jetë votimi i fshehtë antikushtetues”, ka thënë Gërvalla. 

Edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja shpreson që Kushtetuesja me vendimin e saj t’i japë zgjidhje bllokadës së krijuar që nga 15 prilli, kur ka nisur seanca konstituive. 

“Zvarritja e tillë është e pakuptimshme dhe po shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të sjell një vendim i cili ndoshta do e zgjidh këtë problematikë sepse duke e parë që kemi një ngërç ndoshta është momenti që Kushtetuesja me ofru një alternativë që në të ardhmen mos e pasë probleme të tilla”, ka deklaruar Kadrijaj. 

Këto deklarata, ligjvënësit i bënë të hënën pas dështimit për herë të 29-të të konstituimit të Kuvendit. 
Siç ndodh tash e më shumë se një muaj, vazhdimi i seancës ngeci në formimin e komisionit për votimin e fshehtë, në të cilin refuzojnë të marrin pjesë partitë të cilat deri tash ishin në opozitë. Nga 102 deputetë sa ishin prezentë në sallë, komisionin për votim të fshehtë e mbështetën 52 deputetë. Vazhdimi i 30-të me radhë i seancës konstituive është caktuar për të mërkurën, me fillim nga ora 11.
Paraprakisht, para hyrjes kryesore të Kuvendit, për moskonstituimin e tij, protestuan dy qytetarë: Arianit Koci e Fatmir Muçolli. Derisa Koci u mundua disa herë të mbyllë derën e objektit e të pengojë deputetët të deklarohen për media, Muçolli iu kërkoi që të bëhen bashkë e për kryetare të Kuvendit të votojnë Saranda Bogujevcin.