Arbëri

Në mesin e të paraburgosurve në Malishevë, edhe familjarë të kandidatëve për deputetë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për 15 kryekomisionerët e Malishevës, të ndaluar të mërkurën.

Dy seancat dëgjimore u mbajtën një ditë më parë, të dyja në mbrëmje. E vendimi u mor të enjten, pasi gjyqtarin e procedurës paraprake e bindi arsyetimi i prokurorisë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit persona mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Të mërkurën në një aksion të përbashkët të prokurorisë dhe Policisë së Gjakovës u intervistuan 58 kryetarë dhe anëtarë të komisioneve të Qendrës Komunale të Numërimit në Malishevë.

Nga 15 të paraburgosurit, kryekomisioneri me inicialet E.H. – 22 vjeçar, është djali i axhës së kandidatit për deputet të Vetëvendosjes, Valon Hoti, i cili në zgjedhjet lokale garoi për kryetar të Malishevës nën siglën e kësaj partie.

Hoti kishte përfituar 312 vota që s’ia kanë dhënë qytetarët nga numërimi fillestar.

KOHA ka tentuar të marrë një koment nga Hoti, por gjatë ditës nuk ishte i qasshëm.

Në kërkesat për paraburgim, të cilat i ka siguruar KOHA, përmendet edhe numri i votave që i ka shtuar dhe hequr ai kryekomisioner dhe nga cila kuti.

“Në cilësinë e kryesueses së komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, në 5 (pesë) komisione për numërimin e votave, me autorizimet e marra nga Komisioni Zgjedhor i Kosovës, shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë, në atë mënyrë që në qendrën komunale të numërimit dhe atë në vendvotimet 3001/3, 3013/02, 3017/01, 3030/02, 3034/01, ka keqpërdorur 1489 vota duke ua shtuar kandidatëve për deputetë, si dhe 1085 vota duke ua hequr kandidatëve për deputetë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria në kërkesë ka theksuar se në rast të lënies në procedurë të rregullt, të dyshuarit mund të ndikojnë te njëri-tjetri, te dëshmitarët për ndryshimin e dëshmive.

Gjithashtu, prokuroria ka arsyetuar se vepra për të cilën dyshohen “Falsifikimi i rezultateve të votimit” është e dënueshme nga tre deri në pesë vjet, çka sipas organit të akuzës mund t’i shtyjë të dyshuarit t’i ikin përgjegjësisë. Si argument ka përmendur edhe “rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale”.

“Kanë abuzuar me vullnetin e lirë të qytetarëve - votuesve, të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës për paprekshmërinë e votës dhe të drejtën e zgjedhjes së lirë, faktin se ka tronditur mbarë opinionin publik të Republikës së Kosovës dhe ka dëmtuar imazhin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për çka është shquar si vlerë e shoqërisë kosovare deri më tani, shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e kësaj vepre penale, bashkëpunimin me njëri-tjetrin për kryerjen e kësaj vepre penale, faktin e dëmtimit të kundërkandidatëve të tjerë ndaj të cilëve u janë hequr votat”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Në Malishevë, procesi i rinumërimit të votave nxori në pah se gjatë numërimit të kryer nga 29 dhjetori deri më 1 janar në palestrën e sporteve "Habib Zogaj" që ishte vënë në funksion si Qendër Komunale e Numërimit u tjetërsuan 17 mijë vota.

Më së shumti vota nga abuzimi kanë përfituar kandidatët e PDK-së: Gazmend Maliqaj 927, Fetah Paçarizi 728 dhe Adnan Thaqi 703.

Edhe LVV-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA kanë kandidatë përfitues në vlera treshifrore.