LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet paraburgim për 15 kryekomisionerë në Malishevë

Afera e manipulimit me vota të kandidatëve për deputetë ka vënë në lëvizje të mërkurën edhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Në një aksion të nisur në mëngjes bashkë me Policinë janë intervistuar 58 persona të cilët kanë qenë të angazhuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë. Për 15 kryekomisionët, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi për 15 kryekomisionerë të ndaluar të mërkurën nën dyshimin se në komunën e Malishevës i devijuan mbi 17 mijë vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

Të ndaluarit dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”. 

Kërkesës për paraburgim i ka paraprirë një aksion i ndërmarrë nga prokuroria dhe policia, e në kuadër të së cilës janë intervistuar 58 persona. 

“Janë intervistuar 15 kryekomisionerë e 43 komisionerë. 15 kryekomisionerët janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë. Për 43 komisionerët jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, ka thënë kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi.

E prezencën e dhjetë të tjerëve të dyshuar për manipulime nuk ka arritur ta sigurojë policia. 

Laura Pula, që është koordinatore nacionale për zgjedhje, ka thënë se në rast të ngritjes së aktakuzës do të kërkohet dënimi maksimal për abuzuesit e votave.

“Dënimi maksimal në rastin konkret, të veprës penale nga neni 216 paragrafi 2, sepse kemi të bëjmë me persona të zgjedhur – janë anëtarë, parashihet deri në pesë vjet burgim. Padyshim që do të kërkojmë dënimin maksimal, nuk është në dorën tonë t’i gjykojmë, në dorën tonë është ta përpilojmë aktakuzën si duhet, me elementin e dashjes për të cilin konsideroj që në çdo lëndë ka pasur dashje”, ka thënë Pula.

Krahas komisionerëve, Pula ka thënë se hetimet do të zgjerohen edhe ndaj kandidatëve për deputetë që përfituan nga vjedhja e votave.

“Kandidatëve që i janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve”, ka thënë ajo. 

Në Malishevë për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë hapur 75 vendvotime dhe pas rinumërimit të votave për kandidatë ka rezultuar se 9 mijë e 57 janë shtuar, ndërsa 7 mijë 996 janë hequr.

Për dallavere me votat e kandidatëve për deputetë, javën e shkuar janë intervistuar 109 persona në Prizren ndërsa 23 prej tyre janë në paraburgim.

Gjatë rinumërimit janë hasur manipulime edhe në komunat e tjera.