Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2025

Nuk mbahen në paraburgim 22 të dyshuar për manipulim rezultati

Rinumerimi

Foto: Driton Paçarada

Ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim me vota të kandidatëve për deputetë, Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masë të paraqitjes në stacion policor, duke e refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Veprime janë ndërmarrë edhe në Kllokot, ku janë arrestuar 14 kryesues dhe anëtarë të komisioneve të numërimit, e të cilët, pas intervistimit, janë liruar

Gjykata Themelore në Gjakovë u ka caktuar masë sigurie 22 personave të dyshuar për falsifikim të votave të kandidatëve për deputetë gjatë numërimit në Qendër Komunale.

Për ta u caktua detyrimi i paraqitjes në stacionin policor, pas refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se 22 të dyshuarit, në cilësi të kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, me anë të veprimeve të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke i falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Për shkak të dallavereve me vota, ka pasur arrestime edhe në Kllokot.

Në Polici kanë njoftuar se janë arrestuar dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona, disa prej të cilëve kryesues e disa anëtarë të komisioneve numëruese në Qendrën e Numërimit të kësaj komune.

E pas intervistimit, që të gjithë janë liruar.

Edhe Paraqitje në stacion policor, Gjykata ua cakton masën 22 kryesuesve për dallavere me vota në Gjakovë Zgjedhjet 2025 Paraqitje në stacion policor, Gjykata ua cakton masën 22 kryesuesve për dallavere me vota në Gjakovë

“Me dyshimin e bazuar për falsifikim të rezultateve të votimit, më 06.02.2026 janë arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues në QKN - Kllokot. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar”, ka bërë të ditur Policia, në raportin e së shtunës.

Nën dyshimet për manipulim me rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, deri tash janë arrestuar, intervistuar e paraburgosur qindra persona në Prizren, Pejë, Ferizaj, Podujevë, Malishevë, Obiliq e Deçan.

E një ditë më parë, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të paraburgimit ndaj nëntë të dyshuarve.