Arbëri

Në gjashtë shkolla të dëmtuara nga era në Pejë nuk mbahet mësimi

Për shkak të situatës së rënd të krijuar dy netët e kaluara nga fryrja e erërave të forta të cilat janë duke fryrë edhe të enjten, Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës ka mbajtur të enjten një takim emergjentë, në të cilin u krijua shtabi emergjent që do të drejtohet nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtori i kësaj Drejtorie, Muhamet Mahmutaj tha për Kohën Ditore se gjendja nuk është aspak e mirë në gjithë territorin e kësaj komunë, përfshirë edhe qytetin, raporton Koha Ditore.

“Era ka shkaktuar dëme të mëdha në gjithë territorin e Pejës. Më shumë e prekur nga era e fortë kanë qenë fshatrat e rajonit të Podgurit dhe lugut të Drinit. Por dëme ka gjithkah të raportuara edhe nga vendbanimet tjera, si në qytet e në fshatra. Por fatmirësisht nuk kemi deri tash asnjë rast të raportuar që ka pësuar lëndime ndonjë qytetarë”, tha Mahmutaj.

Sipas tij, inspektorët kanë dal në terren për identifikimin e dëmeve dhe kanë bërë edhe një listë ku po evidentohen raportimet e qytetarëve për dëmet që kanë pësuar. Bazuar në raportet e prezantuara në takimin e bordit, dëme nga era janë shkaktuar në shkolla, objektet bujqësore, objekte private dhe shumë pemë të rrëzuara e të çrrënjosura nga era. Mahmutaj tregoi se për shkak të dëmeve në rrjetin elektrik që ka shkaktuar era, në disa vendbanime nuk ka rrymë. Dëme nga era kanë pësuar edhe objektet shkollore dhe në gjashtë prej tyre nuk është duke u mbajtur mësimi.

“Era ka shkaktuar dëme të mëdha në Gjimnaz, në shkollën e mesme Ekonomike, si dhe në shkollat fillore në fshatrat Novosellë, Ozdrim, Poqestë e Berstovik. Në gjitha këto shkolla nuk po mbahet mësimi se ia kam lenë përgjegjësinë drejtorëve të shkollave dhe këshillave të prindërve me vendos a me mbajt mësimin”, tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj.

Ndërkohë, ekipet emergjente janë në terren për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga era. Komuna këshillon qytetarët që kanë pësuar dëme nga erërat e forta, që të bëjnë fotografi, të përshkruajnë dëmin dhe ti paraqesin në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Bazuar në dëmet e raportuara deri tani, sipas drejtuesit të shtabit emergjent, Muhamet Mahmutaj, dëmet janë të mëdha dhe meqenëse komuna, sipas tij, i ka kapacitetet e kufizuara financiare, në ditët në vijim komuna do t’i drejtohet edhe nivelit qendror për të kërkuar ndihmë financiare për të mbështetur riparimin dëmeve të shkaktuara nga era.