LAJMET E MBRËMJES

Bora e erërat e forta lënë pa rrymë fshatra në Gjakovë e Pejë

Reshjet e borës, që kanë nisur natën e shkuar, e edhe erërat e forta, kanë lënë një numër fshatrash pa energji elektrike. Krahas kësaj, vështirësi qarkullimi me automjete janë evidentuar edhe në shumë rrugë, përfshirë magjistralet

Përkeqësimi i motit ka shkaktuar të shtunën vështirësi në komunikacion e probleme me energji elektrike në dy zona të Kosovës.

Si pasojë e reshjeve të borës dhe erërave të forta, disa fshatra të rajonit të Gjakovës dhe Pejës kanë mbetur pa furnizim të rregullt me energji, ka njoftuar KEDS-i.

“Në rajonet e afektuar nga reshjet e borës dhe erërat e forta, disa dalje janë jashtë funksionit. KEDS ka angazhuar ekipe shtesë me qëllim të rikthimit në funksion të tyre. KEDS informon të gjithë konsumatorët e afektuar se po punohet intensivisht deri në rikthimin në funksion të energjisë elektrike te të gjithë konsumatorët, për çka kërkon mirëkuptimin e tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Përpos me energjinë elektrike, qytetarët janë përballur me telashe edhe në komunikacion. Rrugë e trotuare vende-vende kanë qenë të rrëshqitshme e të papastruara.

Qytetarët u ankuan në rrjete sociale për vështirësi gjatë qarkullimit në magjistralen Prishtinë-Ferizaj dhe në atë Drenas-Skenderaj.

Megjithëkëtë autoritetet qendrore theksuan se rrugët i janë mirëmbajtur dhe janë të kalueshme.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se ekipet ndodhen në terren.

“Kompanitë e kontraktuara nga MMPHI, janë në terren për pastrimin e akseve rrugore nga bora, normalizimin e qarkullimit rrugor dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e automjeteve që nga orët e hershme të mëngjesit”, ka thënë Durmishi.

Rrugë të rrëshqitshme dhe me borë pati edhe në kryeqytet.

Megjithëkëtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë të jenë marrë masa për t’i evituar vështirësitë.

“Kompanitë gjatë gjithë kohës janë në terren, të gjitha ekipet tona bashkë me zjarrfikësit po kujdesen që qarkullimi mos të jetë i vështirësuar”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, shërbimi i kërkim-shpëtimit malor në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë bjeshkatarëve dhe skitarëve që të kenë kujdes në viset malore pas reshjeve të borës.

Nga reshjet e dendura të borës e moti i përkeqësuar është prekur edhe Shqipëria. Si pasojë e situatës së rënduar në Fushë Arrëz është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.