Sot janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi, dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij. Ata ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Në këtë përvjetor Krasniqi dhe të tjerët janë kujtuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Sot më 14 dhjetor, u bënë 25 vite nga rënia e 41 dëshmorëve të lirisë në Pashtrik. Një çerekshekull i mbushur me krenari dhe i shoqëruar me përkujtime për Mujë Krasniqin – Kapuqin, komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës dhe për 40 ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë dëshmorë më 14 dhjetor 1998 të ngarkuar me armatime duke kaluar kufirin për të hyrë në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se në këtë përvjetor të 25-të, me shumë gatishmëri Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përkrahur nismën që shtegun të cilin 25 vite më parë e kalonin në këmbë ushtarët e UÇK-së që bartnin armatime për në Kosovë, të quajtur “Shtegu i Lirisë”, të shenjohet edhe si një shteg garash për motoçiklistët dhe ecjesh për alpinistët dhe për bjeshkatarët.
“Kjo nismë vjen nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim si dhe nga Federata e Motoçiklizmit e Kosovës. Ata sot e zbuluan pllakën për fillimin e projektit Shtegu i Lirisë ‘Pashtriku’, nëpër të cilin nga viti i ardhshëm, motoçiklistët do të garojnë duke u nisur nga Kruma për të kaluar në Cahan dhe nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit, te vendi ku ranë 41 dëshmorët e UÇK-së. Kështu, të gjithë ata që duan t’i kujtojnë 41 dëshmorët e UÇK-së të rënë më 14 dhjetor 1998, do të mund të shkojnë dhe të ecin shtegut kah kanë ecur ata dëshmorë të lirisë, ‘Shtegut të Lirisë’”, ka shkruar Kurti.
41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë më 14 dhjetor 1998, kur një grup i ushtarëve që po futej me armatime drejt Kosovës, u përballën me forcat serbe te Likenet e Hasit në Gorozhup të Pashtrikut.
Edhe
27 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij
Mujë Krasniqi është kujtuar edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Porosinë e luftës për liri, komandant Kapuçi, e përhapi çdokund. Vendosmëria dhe trimëria e tij, janë të gdhendura në historinë dhe kujtesën e shqiptarëve. Mujë Krasniqi, i këndoi lirisë, e në kërkim të saj bashkë me trimat ranë tek kufiri që nuk ekziston më. Vepra e tyre madhore na shërben si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme në forcimin e shtetit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.