Është shënuar përvjetori i Betejës së Koshares, gjatë së cilës UÇK-ja arriti ta thyejë kufirin nga Shqipëria për në Kosovë. Përfaqësues shtetërorë e të partive politike bënë homazhe te varret e 114 dëshmorëve që ranë në këtë betejë dhe vlerësuan lart peshën që kjo ngjarje pati në epilogun e luftës
Elda Islami
Koshare/Gjakovë, 9 prill - Është përkujtuar të enjten 27-vjetori i Betejës së Koshares, nëpërmjet së cilës UÇK-ja arriti ta thyejë kufirin ndërshqiptar nga ana e Shqipërisë për në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë përvjetor që shënon nisjen e përballjes prej më të mëdhave me forcat serbe, u bënë homazhe te varret e 114 luftëtarëve të Brigadës 138 të UÇK-së që ranë në ditët sa u zhvilluan luftimet.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes 2026”, që u mbajt në Koshare, se Beteja e Koshares është ndër më të lavdishmet të luftës së fundit.
“Shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi këtë guxim, mbi vendime të marra në kushte thellësisht të rrezikshme dhe mbi sakrificë brezash të tërë. Nderimi i heronjve dhe luftëtarëve të brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Shqipes’ dëshmoi vendosmërinë tonë për të punuar me përkushtim që Kosova të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata ranë për liri”, ka thënë Haxhiu.
Homazhe bënë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera e të partive.
Kryeministri Albin Kurti tha se para 27 vjetëve u shemb kufiri që i ndau shqiptarët me dekada.
“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili gjatë luftës ishte komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, tha se beteja pati ndikim edhe në marrëveshjet që do t’i paraprinin kapitullimit të Serbisë.
“Një epilog i luftës do të arrihej, por pa luftën e brigadës së Koshares, pa këtë intensitet të sulmit, pa këtë intensitet të goditjes së armikut, pa depërtimin frontal e marrjes së një pjesë të territorit në përgjithësi të armikut, është e mundur që 9 qershori, marrëveshja e Kumanovës ka mundur të jetë tjetër, më e keqe”, ka deklaruar Haradinaj.
Edhe përfaqësues të tjerë politikë vlerësuan guximin e ushtarëve të UÇK-së që morën pjesë në betejë dhe folën për ndikimin që ajo pati në luftë.
“Altari i Republikës së Kosovës është i mbushur me sakrificën e heronjve tanë, djemve më të mirë të këtij vendi dhe, në këtë ditë, në 27-vjetor, si për çdo përvjetor, ia rikujtojmë vetes dhe popullit të Kosovës se sa e shtrenjtë dhe e shenjtë është liria jonë”, ka thënë Abdixhiku.
Këtë betejë e kujtoi edhe Donika Gërvalla, ministre e Drejtësisë.
“Në Koshare nuk pati asgjë abstrakte, aty pati burra dhe gra që hynë në betejë duke e ditur saktë rrezikun; aty pati jetë të reja që u vunë përballë vdekjes, jo nga dëshira personale, por nga bindja se pa atë përballje Kosova nuk do ta çonte rrugën drejt lirisë”, është shprehur ajo.
E, ish-presidentja Vjosa Osmani tha se Beteja e Koshares rivendosi dinjitetin kombëtar dhe shtetëror.
“Kosharja na ka lënë Kosovën amanet, na ka lënë shqiptarinë amanet dhe ne duhet sot ta ruajmë këtë amanet si sytë e ballit dhe të sigurohemi që Kosova ecën përpara, për hir të kujtimit që na lanë dëshmorët, heronjtë dhe martirët e lirisë”, ka thënë Osmani.
Beteja e Koshares nisi më 9 prill të vitit 1999 dhe vazhdoi deri më 10 qershor të atij viti, kur forcat serbe nisën të largohen nga Kosova. Më shumë se 100 ushtarë serbë janë vrarë në këtë betejë, por Beogradi zyrtar kurrë nuk ka dhënë numrin e saktë.