Në përvjetorin e 27-të të rënies së heroit Sali Çekaj dhe në nderim të Betejës së Koshares, një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë, u mbajt një akademi përkujtimore ku u vlerësua lart sakrifica e luftëtarëve dhe kontributi i tyre në rrugën drejt lirisë së vendit.
Me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj, është mbajtur akademi përkujtimore në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Shqipes” 2026.
Djali i Sali Çekajt, Hysen Çekaj, tha se ishte pikërisht sakrifica e babait që e shtyu të kthehej në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në mandatin e kaluar u zgjodha deputet në Kuvendin e Kosovës. Njerëz, miq, bashkëpunëtorë, familjarë më pyetnin: ‘Çfarë të shtyu të kthehesh nga Gjermania, ku e ke organizuar jetën, në Kosovë për t’u marrë me politikë?’ Nuk e kam thënë kurrë publikisht, por po e them sot: sepse Kosova është kujtimi im për babanë tim dhe unë nuk kam diçka më të çmuar në jetë”, tha Çekaj.
E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në një fjalë rasti tha se Kosharja shënoi kthesë në historinë e Kosovës.
Haxhiu tha se Çekaj jetoi dhe ra për t’i bashkuar ata që i ndanë me dhunë.
“Ato përgatitje morën formë në Koshare, aty ku ideja e lirisë e ndërtuar me vite u kthye në veprim të hapur dhe në përballje të drejtpërdrejtë. Në prill të vitit 1999, në një terren të vështirë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërmorën një nga aktet më të rëndësishme: shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Kufiri i vendosur padrejtësisht, që për dekada kishte ndarë jo vetëm tokën, por edhe mundësinë për ta menduar lirinë si diçka të plotë”, tha Haxhiu.
E Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tregoi se për çfarë u fliste në kohë lufte, Sali Çekaj.
“Sali Çekaj ishte dhe mbetet një emër nderi. Ai kujtohet për mënyrën se si jetoi dhe se si luftoi: me disiplinë, me urtësi, me guxim, me respekt dhe besnikëri ndaj shokëve dhe ndaj Kosovës. E kujtoj edhe një dimension shumë njerëzor të tij. Nga lufta, përmes telefonit satelitor, na fliste jo për vete. Na fliste për bashkëluftëtarët e tij. Na tregonte me admirim për guximin, mençurinë, disiplinën dhe aftësinë strategjike të luftëtarëve që ishin në vijën e frontit. Na fliste për burrat që mbanin barrën e luftës dhe që po shkruanin një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë”, tha Gërvalla.
Ish-komandanti në Betejën e Koshares, Fadil Hadergjonaj, lartësoi luftën e UÇK-së dhe të komandantit Çekajt.
“Për veteranët, kjo betejë ishte kulmi i një angazhimi të gjatë: nga organizimi i ashpër politik e juridik, te veprimtaria ilegale, te ndërtimi i formacioneve ushtarake dhe deri te realizimi i operacioneve vendimtare në terren. Ai nuk ishte vetëm pjesë e procesit, ai u priu atyre. Karakteri i tij mbetet udhërrëfyes: vizionar i vendosur, i disiplinuar dhe i drejtë; i afërt me bashkëluftëtarët, i qetë në komunikim, por i saktë dhe i rreptë në veprim. Ai nuk priste zhvillimet, ai u printe atyre”, tha Hadergjonaj.
Beteja e Koshares njihet si beteja më e lavdishme e luftës në Kosovë. Ajo zgjati 67 ditë, ku ranë dëshmorë 114 ushtarë të UÇK-së.