Beteja e Koshares përkujtohet të enjten, në 27-vjetorin e zhvillimit të asaj që konsiderohet të jetë njëra prej betejave më të mëdha që ka realizuar UÇK-ja gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në Betejën e Koshares janë vrarë 114 luftëtarë të Brigadës 138 të UÇK-së, e janë plagosur edhe mbi 400 ushtarë nga forcat serbe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy përvjetor të mërkurën e 9 prillit 2026 do të nisë me manifestimin “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet nën patronatin e ushtrues së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Do të kryhen edhe homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, Gjakovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të kësaj beteje duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare dhe përpjekjeve për bashkimin kombëtar.
Kurti rikujtoi se më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sulmuan pozicionet ushtarake serbe në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, me synimin për të shembur kufirin që për dekada ndante shqiptarët.
“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe zgjati deri në përfundim të tyre, duke u shndërruar në një nga përballjet më të ashpra në terren malor,” theksoi Kurti.
Ai vuri në pah se gjatë kësaj beteje, mijëra pjesëtarë të UÇK-së luftuan për dy muaj rresht, ndërsa 114 prej tyre ranë dëshmorë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.
Sipas tij, UÇK-ja, si një ushtri vullnetarësh gjithëkombëtarë, u bë aleate e NATO-s në ndaljen e fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi se çdo pranverë kujtohen me nderim të gjithë luftëtarët që kontribuuan në këtë betejë historike, duke dhënë gjithçka për lirinë e vendit.
“Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot”, përfundoi Kurti.
Krerët politikë bëjnë homazhe në Koshare
Në 27-vjetorin e betejës së Koshares, në vendin ku ndodhi beteja më e përgjakshme dhe më heroike e luftës se UÇK-së, përveç shumë qytetarëve dhe familjarëve të dëshmorëve e bashkëluftëtarëve, homazhe ka bërë ushtruesja e detyrës se presidentes, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar.
Haxhiu, në kujtim të betejës më të përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se sakrifica e atyre luftëtarëve e solli lirinë.
“Në betejën e Koshares 114 luftëtarë të UÇK-së u vranë dhe mbi 380 u plagosën. Këta luftëtarë që ia mësyen Koshares atë pranverë e dinin mirë se ku po hynin, e dinin që kthimi nuk ishte i sigurtë por për liri hynë, për liri u vranë dhe lirinë na e sollën. Ndaj, beteja e Koshares është ndër beteja më të lavdishme të historisë sonë moderne”, ka deklaruar Haxhiu.
Në Koshare homazhe bëri kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpartiakë të tij. Ai tha se akti i trimërisë së luftëtarëve në betejën e Koshares ishte përgjigje ndaj thirrjeve të shumë brezave nëpër histori.
“Në mëngjesin e 9 prillit, 27 vite më parë. djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën njërën nga betejat më të lavdishme të historisë shqiptare të shekullit XX. Akti i tyre i trimërisë ishte përgjigje ndaj thirrjeve të shumë brezave nëpër histori. Koha kishte ardhur. Fundja, liria nuk lind kur lejohet; lind kur merret. Sot nderojmë të gjithë të rënët; falënderojmë të gjallët. Kujtojmë heronjtë e Koshares, sakrificën në altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë na kujtojnë se sa rëndë peshon liria”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas homazheve në Koshare deklaroi se thyerja e kufirit që ndau shqiptarët ishte ëndërr e shumë brezave.
“Në Koshare, luftuan krah për krah trima nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë tokë të lavdisë, trimat e Brigadës 138 të UÇK-së zhvilluan njërën nga betejat më heroike të luftës sonë për liri. Thyerja e kufirit që ndau shqiptarët, ishte ëndërr e shumë brezave. Përulemi me nderim para heronjve të Brigadës 138 të UÇK-së, bijve të kombit që sakrifikuan gjithçka për liri, sepse besonin se atdheu i lirë ishte mbi gjithçka. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës!”, shkroi Haradinaj në nderim të luftëtarëve të betejës së Koshares.
Në Koshare, homazhe bën sot edhe ish-presidentja Vjosa Osmani e kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në homazhe kanë marrë pjesë edhe nga OVL-UÇK-ja.