Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Ditën e Çlirimit jepen zotime për shtet më të fortë

2-Nato-hyrja-Prishtine-1999-ab (2)

Momenti i hyrjes së NATO-s në Prishtinë, 1999

Foto: Alban Bujari

Kosova ka shënuar Ditën e Çlirimit. Saktësisht 27 vjet më parë, arritën trupat e para të KFOR-it, mision ky i NATO-s i vendosur me rastin e përfundimit të luftës dhe kapitullimit të regjimit serb në Kosovë. Në këtë përvjetor, krerët institucionalë dhe liderët politikë bënë homazhe në nder të sakrificës dhe kontributit të të rënëve për lirinë e Kosovës

Kosova ka shënuar të premten 27-vjetorin e çlirimit. Kjo datë nuk kujton vetëm fundin e luftës, por edhe rrugën e gjatë të shumë brezave drejt lirisë.

Në nder të kësaj dite, krerët e shtetit përkujtuan sakrificën dhe kontributin e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditën e nisën me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për të vazhduar edhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe te Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet.

Pas homazheve te monumenti i heroit Zahir Pajaziti, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se rruga drejt lirisë së Kosovës u ndërtua në forma të ndryshme rezistence e sakrifice.

“Trashëgiminë që na lanë heronjtë dhe të gjithë dëshmorët duhet ta kemi si udhërrëfyes, si institucione, që shtetin ta bëjmë edhe më të drejtë, edhe më të fortë, edhe më të denjë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se aksionet guerile të para luftës dhe ngjarjet si Epopeja e UÇK-së e bënë të pakthyeshme rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

“Çdo 12 qershor ne kujtojmë të gjithë brezat të cilët u përpoqën, vuajtën, u sakrifikuan përgjatë okupimit të Kosovës nga Serbia për afro 87 vite e që u përmbyll me luftën e lavdishme çlirimtare dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Komandanti Zahir Pajaziti bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën e me shumë shokë të tjerë e dinin që liria e popullit, çlirimi i vendit, bashkimi e shteti demokracia e republika nuk mund të bëhen pa e konsideruar që faktori i brendshëm është vendimtar dhe nismëtar”, ka thënë Kurti.

Ditën e Çlirimit e ka përkujtuar edhe ish-presidentja, Vjosa Osmani.

“12 qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet. Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së brezave të tërë dhe luftës së drejtë çlirimtare.

“Nderime për dëshmorët, martirët, invalidët dhe veteranët e UÇK-së që sakrifikuan gjithçka për atdheun. Disa ranë për Kosovën, disa jetuan për të, por të gjithë janë pjesë e kujtesës sonë. Kosova u çlirua me një luftë të drejtë dhe kjo e vërtetë, nga lufta për liri deri te gjykimi në Hagë, do të mbetet e pandryshuar. Liri për të gjithë çlirimtarët! Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, ka shkruar Hamza.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se liria e Kosovës ishte rezultat i rezistencës së popullit, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s.

“Regjimi famëkeq serb kishte vrarë e masakruar mijëra civilë të pambrojtur, kishte deportuar mbi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Këtij regjimi fashist do i vinte fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s. Në këtë përvjetor, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën sublime të brezave të tërë që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa kreu i AAK-së Ardian Gjini, tha se 12 qershori është disa e krenarisë për rrugëtimin tonë drejt shtetit sovran.

“Nga frontet e luftës çlirimtare e deri te themelet e shtetit sovran, 12 qershori na kujton rrugën tonë të krenarisë. Kosova sot duhet të qëndrojë e fortë, e bashkuar dhe e rreshtuar krah aleatëve të lirisë sonë”, ka thënë Gjini.

Më 12 qershor 1999, forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës, që la pas më shumë se 13 mijë e 500 civilë të vrarë dhe të zhdukur.