Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi ende i zemëruar për “Nobelin për Paqe”, e quan Norvegjinë “vend i ndyrë”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkallëzuar të dielën gjuhën fyese ndaj Norvegjisë, duke e quajtur atë “një vend të ndyrë” dhe duke thënë se emigrantët norvegjezë nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara, sepse Komiteti i Nobelit, me seli në kryeqytetin Oslo, nuk i kishte dhënë atij çmimin “Nobel” për Paqe.

Trumpi i ka bërë këto komente gjatë një tubimi politik në Port Huron, në Miçigan, përpara zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen javën e ardhshme.

Duke ia atribuar emigracionit trazirat e fundit në Francë, Trumpi ka thënë se do t’i mirëpriste emigrantët nga disa vende, por jo ata nga Norvegjia, “sepse nuk e mora Çmimin Nobel... Prandaj nuk dua askënd nga Norvegjia”.

Nuk ka asnjë tregues se administrata Trump po miraton një politikë të re zyrtare për emigrantët norvegjezë.

“Ai e di shumë mirë se Komiteti i Nobelit është i pavarur. Ne ua kemi kujtuar këtë, në rast se dikush ka dyshime, dhe kjo vazhdon të jetë kështu”, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, për transmetuesin publik kombëtar NRK. 

“Norvegjia është shndërruar në një vend të ndyrë, në fakt”, ka thënë Trumpi, duke përdorur një shprehje që më parë e ka përdorur edhe për Haitin, Libinë, Somalinë dhe Jemenin.

Edhe Mbi 280 kandidatë për Nobel për Paqe, Trumpi me gjasë mes tyre Botë Mbi 280 kandidatë për Nobel për Paqe, Trumpi me gjasë mes tyre

Norvegjia është ndër vendet me të ardhurat më të larta për frymë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Fondi sovran i pasurisë i Norvegjisë regjistroi një fitim rekord prej 1.75 trilionë koronash norvegjeze, apo 184.3 miliardë dollarë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Në fillim të këtij muaji, Trumpi e ka quajtur mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqe një “njollë të pashlyeshme” për Norvegjinë.