Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 Shtatorit, në SHBA.
Me këtë rast Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës e përjetuan tragjedinë e vitit 2001 me një afërsi të veçantë.
Haxhiu ka deklaruar se sulmi i 11 Shtatorit u kuptua në Kosovë si sulm ndaj vlerave që, sipas saj, kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën.
“Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte sa afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës. 25 vjet pas 11 Shtatorit, e kemi një brez që nuk e ka jetuar atë ditë, për të 11 Shtatori është histori e mësuar nga rrëfimet e atyre që e përjetuan, nga fotografitë dhe nga pamjet që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e botës. Kjo është edhe arsyeja pse pas një çerek shekulli nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë ata që humbën jetën, duhet t’u tregojmë edhe atyre që erdhën më pas se çfarë ndodhi atë ditë, sa shpejt mund të prishet rrjedha e zakonshme e jetës. Por edhe sa shumë mund të bëjë njeriu për njeriun në çastet e vështira”, ka deklaruar ajo, raporton EO.
Ndërkohë Kurti ka thënë sulmi i 11 Shtatorit 2001 ishte ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike.
Edhe
Kosova nderon viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit në SHBA
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, ka theksuar Kurti.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka shprehur nderimin për viktimat dhe mirënjohjen për partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hamza ka theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë pranë SHBA-së, si në momentet e gëzimit, ashtu edhe në kohët e dhimbjes dhe nevojës për respekt.
“Jemi këtu në nderim të viktimave të 11 shtatorit, në respekt që kanë humbur jetën në këto ngjarje, respekt e vlerësim për partneritetin me SHBA. Jemi mirënjohës dhe shumë falënderues dhe gjithmonë do të jemi bashkë me ta edhe në gëzime, e në raste kur ka dhimbje dhe nevojë për respekt”, tha Hamza.
Edhe
Kosova e kujton sulmin terrorist të 11 shtatorit në SHBA si ditën kur bota u nda në dysh
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky sulm nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një sfidë brutale ndaj vetë vlerave themelore mbi të cilat ngrihet shoqëria demokratike, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës.
“Ishte një përpjekje e dhunshme për të cenuar mënyrën e jetesës së lirë e të hapur, që popujt demokratik ndajnë kudo në botë. Sot, përulemi me respekt të thellë para kujtimit të viktimave dhe shprehim solidaritetin tonë të plotë me familjet e tyre dhe me popullin amerikan. Dhimbja e tyre është pjesë e kujtesës sonë të përbashkët”, thuhet në mesazhin e Abdixhikut.



