Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trump: S’do të harrojmë kurrë 11 Shtatorin, prandaj luftojmë sot

Trump

Foto: Associated Press

Amerikanët kanë përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, ku u vranë 2.977 persona. Në ceremoninë në Pentagon, presidenti Donald Trump u shpreh se SHBA-ja “nuk do të harrojë kurrë” dhe e lidhi përkujtimin me luftimet e sotme kundër Iranit. Viktimat u nderuan me homazhe në New York, Washington dhe vende të tjera

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i harrojnë kurrë sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, dhe për këtë luftojnë sot, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

Njëzet e pesë vjet pas sulmit më vdekjeprurës, amerikanët të premten i kanë përkujtuar afro 3,000 personat e vrarë kur avionë të rrëmbyer u përplasën me kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë, Pentagonin dhe një fushë në Pensilvani.

Në New York, gjatë homazheve familjarëve të viktimave iu bashkuan zv.presidenti  JD Vance dhe katër ish-presidentë. Ceremonia nisi me një minutë heshtjeje për të kujtuar çastin tronditës kur fluturimi 11 i “American Airlines” goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Pak më vonë, familjarët e viktimave filluan të lexonin me zë të lartë emrat e të gjithë 2.977 personave që humbën jetën më 11 shtator, si dhe të gjashtë personave të vrarë në sulmin me bombë të vitit 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ndërsa në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Pentagon, presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, të ulur në skenë, dëgjuan teksa lexoheshin një nga emrat e 184 personave të vrarë në Pentagon më 11 shtator, ndërsa pas çdo emri binte një kambanë.

Fotografitë e secilës viktimë shfaqeshin në një ekran të madh pranë skenës.

Në fjalimin e tij, Trumpi ka lidhur direkt sulmet e 11 shtatorit me luftimet e sotme të SHBA-së, edhe pse direkt nuk e ka përmendur Iranin.

“Sot ne përsërisim betimin e shenjtë që e bëmë për herë të parë në emër të tyre, një çerek shekulli më parë”, ka thënë ai. “Ne nuk do të harrojmë kurrë, absolutisht kurrë. Kjo është arsyeja pse luftojmë sot”.

Tutje ai ka shtuar se në ditë “si 11 shtatori, ne mësojmë se nga çfarë brumi përbëhet një shtet”.

“Ne po e mësojmë pikërisht tash se nga çka jemi të përbërë; dhe duhet të jemi të fortë dhe të mençur”, ka shtuar Trumpi.

Presidenti e ka shfrytëzuar gjithashtu fjalimin e tij për të mbrojtur luftën që administrata e tij po zhvillon kundër Iranit.

“Ne vazhdojmë t'i dërgojmë terroristët aty ku e kanë vendin: në ferr. Dhe cisternat i dërgojmë në fund të oqeanit, aty ku e kanë vendin; gjithashtu, po sigurohemi që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Presioni ekonomik po shtohet çdo ditë. Ne e kontrollojmë ngushticën. Ne do ta çojmë deri në fund këtë betejë”, ka thënë Trumpi.

Ky qe viti i dytë radhazi që Trumpi e shënoi këtë ditë në Pentagon.

E ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, ka thënë se ende ndien një dhimbje të thellë që shumë prej tyre që mbanin përgjegjësi atë ditë, nuk e panë natyrën e rrezikut në kohë për ta parandaluar sulmin e 11 shtatorit.

“Do të mbaj gjithmonë me vete një pendesë të thellë personale për dhimbjen që ju, familjet e viktimave, ende e ndieni, si dhe për traumën që përjetoi vendi ynë”, ka thënë ajo.

Në ceremoninë përkujtimore të së premtes, për herë të parë të pranishmit mbajtën shtatë minuta heshtjeje, gjashtë që shënojnë kohën kur avionët u rrëzuan dhe ndërtesat u shemben, dhe një për të nderuar mijëra njerëz që kanë vdekur që nga viti 2001 si pasojë e sëmundjeve të lidhura me pluhurin toksik që helmoi ajrin për muaj të tërë pas sulmeve.

Homazhe për të kujtuar viktimat e 11 shtatorit janë mbajtur edhe në Londër dhe disa vende tjera.

19 terroristë të lidhur me grupin ekstremist Al-Kaida rrëmbyen katër avionë komercialë. Dy avionë u përplasën me Kullat Binjake në qytetin e Nju-Jorkut, duke shkaktuar shembjen e të dyjave dhe duke shkatërruar zonën e Manhatanit të Poshtëm. Një avion i tretë u përplas me Pentagonin, në periferi të Washingtonit. Pasagjerët dhe ekuipazhi i avionit të katërt fluturimi 93 i kompanisë “United”, luftuan kundër rrëmbyesve, duke e detyruar avionin të rrëzohej në një fushë rurale pranë Shanksvilleit, në Pensilvani.