Ngjarjet e 11 shtatorit, në fillim të mandatit të parë të presidentit George W. Bush, ndryshuan rrënjësisht politikën e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe çuan në luftëra që zgjatën për dekada, ku humbën jetën më shumë se 900,000 njerëz, kryesisht në Irak dhe Afganistan. Ato ndryshuan gjithashtu rrjedhën e jetës së individëve, duke frymëzuar disa fëmijë të viktimave të ndiqnin prindërit e tyre në shërbimet e emergjencës, ndërsa të tjerë u orientuan drejt ushtrisë, mjekësisë ose shërbimit publik. Ndërkohë, të mbijetuarit, ekipet e shpëtimit dhe miliona amerikanë vazhdojnë të përballen me trashëgiminë e asaj dite
Scott Larsen ishte vetëm 4 vjeç kur babai i tij, zjarrfikësi i qytetit të New Yorkut, emrin e të cilit ai mban, u vra në shembjen e Qendrës Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001.
Babai i tij, atëherë 35 vjeç, ishte caktuar përkohësisht në Lower Manhattan nga stacioni i tij i zakonshëm i zjarrfikësve në Woodside, në lagjen Queens, kur dy avionë të rrëmbyer nga militantë islamistë të al-Kaedës u përplasën me Kullat Binjake. Ai ishte një nga 343 pjesëtarët e Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut që humbën jetën në sulmin e 25 vjetëve më parë.
Dy avionët, së bashku me një të tretë që u përplas me Pentagonin dhe një të katërt që u rrëzua në Pensilvani, vranë rreth 3,000 njerëz në një sulm të paprecedentë, që la pas dhjetëra mijëra bashkëshortë, prindër dhe fëmijë të pikëlluar, dhe tronditi botën.
Ngjarjet e 11 shtatorit, në fillim të mandatit të parë të presidentit George W. Bush, ndryshuan rrënjësisht politikën e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe çuan në luftëra që zgjatën për dekada, ku humbën jetën më shumë se 900,000 njerëz, kryesisht në Irak dhe Afganistan.
Ato ndryshuan gjithashtu rrjedhën e jetës së individëve, duke frymëzuar disa fëmijë të viktimave të ndiqnin prindërit e tyre në shërbimet e emergjencës, ndërsa të tjerë u orientuan drejt ushtrisë, mjekësisë ose shërbimit publik. Ndërkohë, të mbijetuarit, ekipet e shpëtimit dhe miliona amerikanë vazhdojnë të përballen me trashëgiminë e asaj dite.
“Kujtimi i tij më del përpara çdo ditë”
Larsen ndoqi gjurmët e babait të tij. Ai u bashkua me Departamentin e Zjarrfikësve të New Yorkut dhe kërkoi e siguroi një vend pune në të njëjtin stacion zjarrfikësish në Woodside ku kishte shërbyer babai i tij.
“Diçka brenda meje më shtynte. Gjithmonë kam dashur të vija këtu”, tha Larsen, tashmë 29 vjeç, gjatë një interviste në stacionin e zjarrfikësve.
Ai nuk është i vetmi, sipas të dhënave të mbledhura nga Shoqata Ndërkombëtare e Zjarrfikësve. 58 fëmijë të zjarrfikësve të FDNY që humbën jetën më 11 shtator kanë ndjekur të njëjtën rrugë.
Në stacionin e zjarrfikësve, Larsen është i rrethuar nga kujtime të babait të tij, emri i të cilit është gdhendur në një pllakë përkujtimore dhe është vendosur në një veturë zjarrfikëse. Fotografitë e tij qëndrojnë të varura në kuzhinë dhe në dhomën e pushimit.
“Për të jam kujtuar çdo ditë, sinqerisht. Nuk ka asnjë ditë që vij këtu dhe nuk e shikoj”, tha ai.
Larsen është brezi i tretë i zjarrfikësve në familjen e tij. Vëllai i tij më i vogël, i lindur dy ditë pas 11 shtatorit, ka kaluar provimin e pranimit dhe shpreson t’i bashkohet FDNY-së vitin e ardhshëm.
“Shpresoj që, kur të kem një djalë ose një vajzë, cilido qoftë, ata ta vazhdojnë këtë trashëgimi”, tha Larsen.
“Kjo ishte personale”
Dr. Michael Crane nuk pushoi kurrë së ndihmuari punonjësit e shpëtimit.
Sado shkatërrues të ishte numri fillestar i viktimave, ky nuk ishte fundi i historisë.
Dhjetëra-mijëra policë, zjarrfikës, punëtorë të shërbimeve publike dhe punëtorë ndërtimi morën pjesë në operacionet në rrënojat në qendër të New Yorkut.
Vendi, i njohur si “grumbulli i rrënojave”, ngrihej rreth pesë kate mbi tokë dhe kërkimi për të mbijetuarit, e më vonë për mbetjet njerëzore, vazhdoi për muaj të tërë nën re të dendura pluhuri.
Si drejtor mjekësor në kompaninë elektrike të New Yorkut, Con Edison, Crane kishte për detyrë të mbronte punonjësit e shpëtimit dhe pastrimit, duke u siguruar ndër të tjera që secili të kishte një respirator të përshtatshëm.
Sigurimi i respiratorëve për ekipet doli të ishte pjesa e lehtë. Sapo përdoreshin, ato bllokoheshin shpejt nga pluhuri. Shumë punonjës thjesht i hidhnin mënjanë.

Në ditët e para të operacionit të rimëkëmbjes, një i ri u paraqit në zyrën e Crane me një kollë të rëndë, pasi kishte punuar në grumbullin e rrënojave në “Ground Zero” (Refereim për zonën e Qendrës Botërore të Tregtisë pas sulmeve të 11 shtatori). Kur Crane i tha të pushonte disa ditë dhe të merrte trajtim mjekësor, i riu refuzoi.
Një pjesëtar i familjes së tij ishte varrosur diku nën rrënoja, kujtoi Crane në një intervistë në spitalin Mount Sinai, ku ai tani shërben si drejtor mjekësor i Programit Shëndetësor të Qendrës Botërore të Tregtisë.
“Në atë moment kuptova se kjo nuk ishte thjesht një çështje kombëtare apo shtetërore, kjo ishte personale”, tha Crane, 74 vjeç. “Kjo ishte personale për shumë prej këtyre njerëzve që kishin humbur të afërmit atje poshtë”.
Programi Shëndetësor i Qendrës Botërore të Tregtisë, i financuar nga qeveria, ofron kujdes shëndetësor për sëmundjet e lidhura me 11 Shtatorin për më shumë se 150,000 punonjës të përfshirë në operacionet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes, si dhe për të mbijetuarit që jetonin, punonin ose studionin në zonën e katastrofës, sipas të dhënave të mbledhura deri më 30 qershor nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Deri më 30 qershor, personat e përfshirë në program kishin marrë rreth 85,000 certifikime për probleme shëndetësore të lidhura me Qendrën Botërore të Tregtisë. Rreth gjysma e tyre lidhej me thithjen ose gëlltitjen e pluhurit toksik, ndërsa rreth 30% ishin raste kanceri. Më shumë se 9,000 punonjës të shpëtimit të monitoruar nga programi kanë vdekur që nga 11 Shtatori, megjithëse zyrtarët thonë se është e vështirë të përcaktohet roli që 11 Shtatori ka luajtur në vdekjen e tyre.
Një çerek shekulli pas sulmeve, Crane vazhdon të jetë thellësisht i prekur nga punonjësit që morën pjesë në operacionet e rimëkëmbjes.
“Ti dashurohesh me këta njerëz”, tha ai. “Ata janë të jashtëzakonshëm, të qëndrueshëm, qesharakë, paksa të çmendur. Dhe, pavarësisht gjithçkaje që kanë kaluar, janë vërtet të fortë mendërisht dhe krenarë për atë që kanë bërë”.
“Nuk i dëgjova instinktet e mia”
Ashtu si shumë të tjerë të prekur nga 11 Shtatori, Michael Tuohey jeton me pyetje që nuk kanë përgjigje.
Si agjent i shërbimit ndaj klientëve të një kompanie ajrore, Tuohey ndihmoi dy prej rrëmbyesve të kryenin procedurat e regjistrimit për fluturimin e tyre në Aeroportin Ndërkombëtar të Portlandit në Maine, pikënisja e një udhëtimi që përfundoi me përplasjen e avionit të American Airlines 11 me Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Mohammad Atta dhe Abdul Aziz al-Omari mbërritën vetëm gjysmë ore para fluturimit.
Tuohey skanoi biletat prej letre të dy burrave për të parë nëse ato ishin blerë kohët e fundit ose ishin paguar me para në dorë, gjë që do të kishte ngritur dyshime edhe sipas standardeve të sigurisë përpara 11 Shtatorit. Por biletat ishin blerë disa javë më parë, ishin paguar me karta krediti dhe ishin të klasit të parë.

“Pata një lloj ndjesie nga burri më i vjetër dhe më i shkurtër se nuk i pëlqente të ishte aty”, tha Tuohey, duke iu referuar Attas. “Dhe mendova: është ora 5:30 e mëngjesit. Askush nuk dëshiron të ngrihet në 5:30 të mëngjesit”.
Më vonë, pas sulmeve, dështimet e inteligjencës amerikane që nuk arritën të zbulonin komplotin e al-Kaedës do të analizoheshin gjerësisht. Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të krijohej, procedurat e sigurisë në aeroporte do të rishikoheshin dhe vendi do të hynte në një epokë të re me një rrjet ligjesh të sigurisë.
Por ndërsa rrezet e para të diellit ngrohën qiellin lindor mbi Portland atë mëngjes të freskët vjeshte, Tuohey nuk kishte asnjë mënyrë për ta ditur tmerrin që do të sillte ajo ditë.
“Instinkti im më thoshte të drejtën, por kishte ligje, kishte ligje kundër profilizimit të njerëzve”, tha Tuohey, tashmë 80 vjeç dhe në pension. “Nuk e dëgjova instinktin tim. Dhe doli të ishte një gjë e tmerrshme. Por nuk do të thotë se kisha të drejtë. Thjesht do të thotë se ndoshta mund të kishte ndryshuar diçka. Jo se do ta kishte ndryshuar patjetër, por mund ta kishte ndryshuar. Kush e di?”, u shpreh ai.