Arbëri

27 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij

Muje Krasniqi

Sot janë bërë 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

27 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998, luftëtarët e UÇK-së deri sa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia serbe, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut. Ata u varrosën më 21 dhjetor 1988 me nderime të larta ushtarake në Polac të Drenicës.

Për nder të rënies së komandant Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kuvendi i Kosovë, e kishte caktuar si datë 14 dhjetorin, që Kosova të votonte e të bëhej me ushtrinë e saj.

Pas rënies së Mujë Krasniqit, Brigada 113 mori emrin e tij, e cila gjatë luftës i dha kombit edhe 166 dëshmorë tjerë.

Mujë Krasniqi ishte komandant i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, gjithashtu ai ishte pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Skënderajit në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga policia serbe.

Mujë Krasniqi së bashku me Rexhep Selimin dhe Daut Haradinaj më 28 nëntor 1997 kishin edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mujë Krasniqi shquhej për guximin, trimërinë e tij në fushat e betejave që zhvilloi UÇK-ja kundër forcave barbare serbe dhe në shumicën e rasteve ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës dhe në disa raste edhe në Zonën Operative të Dukagjinit.


“Emri i Mujës është bërë bajrak i Brigadës 113”, akademi përkujtimore për 27-vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit e bashkëluftëtarëve të tij

Me rastin e 27-vjetorit të rënies së 41 dëshmorëve të kombit, bashkë me komandantin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, u mbajt një akademi përkujtimore ku u nderua sakrifica, heroizmi dhe vepra e dëshmorëve që ranë për lirinë dhe bashkimin kombëtar.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në fjalën e tij, deklaroi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.

“Kjo datë e rëndësishme, unë kam obligim moral, njerëzor dhe kombëtar të flas për veprimtarinë atdhetare në rënien e dëshmorëve që sot po kujtojmë, secilin nga ata të gjithë bashkë me veprën, heroizmin, sakrificën dhe rënien e tyre në altarin e lirisë, sikur na thonë, sikur na flasin dhe sikur na sugjerojnë se nuk kemi rënë vetëm për lirinë e kësaj pjesë të atdheut, por rënia jonë dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit, përtej kësaj, përtej lirisë, kemi rënë për bashkimin kombëtar. Nëse historia jonë nuk mund të shkruhet pa luftën e Gjergj Kastriotit dhe Lidhjen e Prizrenit, nëse historia nuk mund të shkruhet edhe pa luftën e lavdishme të UÇK-së. Me ne bashkë nuk janë krerët e UÇK-së, por ne çdoherë dhe ata me ne jemi bashkë, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë nga një gjykatë e njëanshme, raciste dhe krejtësisht politike. Urojmë që kjo re e zezë, padrejtësisht për këtë pjesë të atdheut të Kosovës, sa më shpejt të merret verdikti vendimtar sepse ata janë të pafajshëm dhe kanë bërë një luftë të drejtë çlirimtare, andaj lirinë tonë nuk ka gjykatë që mund ta dënojë”, deklaroi Jashari.

Gjenerali Duat Haradinaj përmendi se rënia e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij ishte humbja më e madhe, por edhe burim force dhe frymëzim për UÇK-në. Emri i tij u bë bajrak i Brigadës 113.

“Jam i nderuar që flas për Mujën, rënia e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve në pritë ishte humbja më e madhe dhe plaga më e rëndë për të gjithë ne. Ishte një dhembje që u ndje, por që u shndërrua në shtytje dhe forcë dhe kushtrim për UÇK-në. Kam qenë shumë i bindur se me Mujën në krahë është mision çlirimi i Kosovës. Mujën e kam njohur si trim, luftëtar, vizionar, njeri i pashoq dhe njeri me shpirt të pathyer, me integritet dhe moral të lartë. Ai ishte nga ata që më parë do të vritej, se do të linte shokët pas. Ai ra ashtu siç dëshironte vetë, duke mbrojtur shokun e luftës, duke mbrojtur bashkërrugëtarin e tij, duke mbrojtur gjakun ndër shekuj. Sot Muja dhe bashkëluftëtarët e tij janë shtylla e Kosovës së lirë, ata janë në çdo cep të Republikës sonë, në lirinë që jetojmë çdo ditë në shtetin që e ndërtojmë në emrin e tyre. Emri i Mujës është bërë bajrak i Brigadës 113, ku në shumë beteja të përgjakshme u lartësua figura e tij, e cila u kthye edhe në tmerr kundër Serbisë”, ka potencuar Haradinaj.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se sakrifica e tyre, edhe pse humbje e madhe, u bë burim mobilizimi dhe forcë për fitore.

“Në 1821 në Manastir, pas shpine, me tradhti, ekzekutohen 500 kabidanë, një dhimbje dhe humbje e madhe asokohe me pasoja. Një ngjarje e tillë përsëritet tanimë në luftën e UÇK-së në malin e Pashtrikut, kur bora skuqet nga gjaku i kabidanëve të lirisë. Nëse 1821 u skuq kalldrëmi, 1998 u skuq Pashtriku nga gjaku i të rinjëve luftëtarëve, i komandatit të Brigadës 113. Ngjarje të cilat ngritën një këmbë të tërë, si ajo e familjes Jashari, Adem Jashari me të gjithë të afërmit që kishte. Po ashtu, ngjarja që ngriti në këmbë tërë ushtrinë çlirimtare ishte kjo ngjarje që ndodhi në Pashtrik, në pritë dhe pabesi, një humbje e madhe e UÇK-së, por ama një porosi, një kushtrim i kombit që të gjithë të jemi të mobilizuar që kjo dhimbje të na shënohet në forcë dhe fitore. Ashtu ndodhi. Lufta u fitua, por kemi edhe shumë punë për të bërë, sepse qarqet anti-shqiptare, që historikisht kanë vepruar kundër kombit dhe gjakut shqiptar, janë akoma aktive. Kjo po shihet në të gjithë proceset brenda 20 viteve që kanë ndodhur, procese që për bazë kanë propagandën dhe shpifjet që ka bërë Rusia dhe Beogradi, politika sllave për të zhdukur identitetin shqiptar”, ka deklaruar Ahmeti.

Komandanti i Brigadës 113, Hysni Shabani, tha se 14 Dhjetori mbetet një nga datat më të rënda, por edhe më të shenjta të luftës së UÇK-së.

“Edhe pas një çerek shekulli mbetet plagë dhe krenari e pashlyeshme, dëshmi e sakrificës titanike, e pathyeshmërisë, disiplinës së hekurt, besimit dhe guximit të 41 ushtarëve të udhëhequr nga Mujë Krasniqi. Ishte ditë e egër, e rëndë dhe e dhimbshme, por njëkohësisht ditë që do të mbahet në mend për kodin e luftëtarit, heroizmin dhe vlerat e larta që këta ushtarë kanë dhuruar pas vetes si amanet. Ushtarët e UÇK-së e dinin mirë pasojat e luftës, plagët që sjell dhe barrën që lënë pas. Më mirë është të luftosh dhe të biesh për vendin sesa të mbijetosh duke sjellë turp atij. Duke qëndruar brenda kontekstit dhe duke ndjerë thellë peshën e këtij tubimi përkujtimor, është plotësisht e justifikueshme ngritja e zërit, brenda dhe jashtë vendit, që shpesh është drejtuar ndaj ushtarëve, komandantëve dhe udhëheqësve, madje edhe vetë luftës”, theksoi Shabani.

Përveç akademisë përkujtimore, rënien e Mujë Krasniqit e bashkëluftëtarëve të tij e kujtuan me homazhe pranë varreve të tyre figura politike të vendit.