Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Veteranët marshojnë në kryeqytet, në 27-vjetorin e çlirimit

Marshi i ish-ushtarëve të UÇK-së për Ditën e Çlirimit të Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Prishtina ka shënuar 27-vjetorin e çlirimit me një numër aktivitetesh. E, në sheshet kryesore të kryeqytetit, kanë marshuar veteranë të UÇK-së, për ta kujtuar këtë ditë. Në nder të kësaj dite është mbajtur edhe një seancë solemne në Kuvendin Komunal të kryeqytetit

Ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë veshur uniformat dhe kanë marshuar të enjten në sheshet qendrore të Prishtinës. E kanë bërë këtë, për të përkujtuar 27-vjetorin e hyrjes në kryeqytet, pak orë përpara se përfundimisht forcat serbe të largoheshin.

Një nga veteranët që ka marshuar të enjten, ka thënë se i ndien të njëjtat emocione si para 27 vjetësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Uniforma jonë ka dalë më 28 Nëntor 1997 dhe sot i ndiej të njëjtat emocione. Është një uniformë e shenjtë, uniforma jonë. Na ka munguar rreshtimi, por sot e kemi edhe atë dhe këtë po e bëjmë me krenarinë më të madhe”, ka thënë Islam Kelmendi, ish-pjesëtar i UÇK-së.

Ai dhe të tjerë në marsh kanë kërkuar lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Krahas marshit, edhe me një numër aktivitetesh tjera është shënuar Dita e Çlirimit të Prishtinës.

Fillimisht janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Velani dhe te shtatorja e Zahir Pajazitit. 
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se respekti ndaj dëshmorëve është dhe do të jetë i përhershëm.

“Jemi bërë bashkë këtu me komandant Remin dhe me ekipin nga kryeqyteti, drejtorë e qytetarë, në nderim të dëshmorëve dhe heronjve tanë, të cilët e kanë dhënë jetën që sot ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe paqen. Duhet ta kuptojmë se këto gjëra nuk na kanë rënë nga qielli”, ka thënë Rama.

E, në Kuvendin Komunal është mbajtur seancë solemne, e cila ka nisur me një minutë heshtje për të nderuar veprën e të rënëve për liri.

Në të kanë marrë pjesë dhe ish-komandantë të zonës së Llapit, si Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Fatmir Sopi.

Mustafa ka kujtuar ditën e çlirimit, duke thënë se UÇK-ja ishte dobët e armatosur, por kishte zemër të madhe.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të bëjë aleancë me shtetet më të fuqishme demokratike dhe të sjellë lirinë për popullin e Kosovës. Ky është mësim për të ardhmen dhe dëshmi se Kosova gjithmonë ka ecur përpara dhe është bashkuar me botën demokratike”, ka thënë Mustafa.

Përvjetori i çlirimit të kryeqytetit shënohet çdo 11 qershor, ndonëse këtë ditë ende nuk ishin larguar të gjitha forcat serbe nga Prishtina. 

Largimi i ushtrisë e policisë serbe ndodhi, pas rezistencës së armatosur të UÇK-së dhe fushatës ushtarake 78-ditëshe të NATO-s, kundër caqeve serbe