Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prishtina shënon Ditën e Çlirimit, theksohet se liria e fituar duhet të shoqërohet me përgjegjësi

rama

Foto: Driton Paçarada

Në shënim të 27-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe të tjerë. Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi drejt shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti të denjë për brezat e ardhshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot jemi në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në njërën anë po shihni që kemi këtu veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që me guxim, me sakrificë dhe besim e sollën lirinë. Në anën tjetër kemi institucionet që na ruajnë sot, kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi, nga lufta për liri te përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar atë”, ka thënë ai.

Rama ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve është të ndërtojnë një shtet dhe një kryeqytet që janë të denjë për sakrificën e dëshmorëve. 

"Prandaj jemi krenarë që kemi përfunduar varrezat e dëshmorëve në Makoc e Marec, edhe ato në Prishtinë, duke krijuar vende dinjitoze kujtese për ata që i dhanë Kosovës jetën e tyre. E në zemër të Prishtinës tani do të ndërtohet edhe memoriali i familjes Jashari të komandantit Adem Jashari. Kjo do të jetë një hapësirë kujtese, një hapësirë reflektimi dhe edukimi për brezat e rinj. Po ashtu, në përfundim është edhe projekti për parkun memorial dhe bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”. Edhe ky një institucion që do ta ruajë trashëgiminë e presidentit historik dhe do të jetë simbol i dijes, kulturës dhe i vizionit shtetformues”. 

Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, theksoi se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtesa për dëshmorët e luftës mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.

“Në këtë ditë, përkulemi me respektin më të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre burrave e grave që sakrifikuan gjithçka për idealin e lirisë. Vepra e tyre është e pavdekshme, dhe kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare”, tha ai.

E ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi rëndësinë historike të 11 qershorit 1999 dhe domethënien e luftës për lirinë e Kosovës.

“Sot shënojmë 27 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ditën më të rëndësishme të çlirimit të kryeqytetit tonë. 11 qershori, 1999, lufta për liri, po kurorëzojmë me hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me tërheqjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, ishte dita kur liria po bëhej e prekshme. Çlirimi i qytetit dhe i gjithë Kosovës, përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë, nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet ta ndjekë Kosova”, tha ai.

 

Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë lirimin e ish-krerëve në Hagë: Lufta jonë ishte e drejtë

4 min. më parë / 11 qer 2026 13:38
uck

Photo: Driton Paçarada

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniformat e UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, ndërsa kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ata deklaruan se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa u shprehen optimistë që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Veterani invalid i luftës së UÇK-së, Asllan Doshi, i njohur si zëvendëskomandant Togu, tha se marshi dhe përkujtimi i luftës çlirimtare janë shprehje respekti për veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit.

“Ne e besojmë që lirimi duhet me qenë i menjëhershëm se është domethënë dënim edhe është gjykim i padrejtë i luftës tonë çlirimtare”, tha ai.

Edhe veterani i luftës së UÇK-së, Hajzer Bistrica, kujtoi angazhimin e tij gjatë luftës, duke thënë se ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para deri në çlirimin e vendit.

Bistrica tha se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së luftës dhe se emocionet e kësaj dite janë të papërshkrueshme.

“Kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës qysh prej ditëve të para deri në ditën e çlirimit. Jam pjesëmarrës që kam bartur armatimin nga Shqipëria në Kosovë që të ju ndihmojë sado pak ushtarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësi me marrë rrugën, jemi krenarë për atë periudhë që kemi pasur mundësinë që t’u ndihmojmë ushtarëve tonë që kanë qenë këtu. Jam krenar që sot e arrita edhe jam dëshmitar i gjallë i asaj sakrifice që ka ndodhur”, tha ai.

Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Bistrica tha se ata nuk do të duhej të përballeshin me atë proces dhe se pret kthimin e tyre sa më shpejt në Kosovë.

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, tha se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocionet e kohës së luftës.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi veteranët e UÇK-së për pjesëmarrjen në marsh, duke thënë se aktiviteti u organizua në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

“I falënderoj shumë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot na u bashkuan. Kemi bërë një marsh si shenjë e përkujtimit të sakrificës së madhe, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të secilit dëshmor, të secilës familje që ka sakrifikuar çdo gjë që sot ta kemi lirinë, demokracinë, që sot të bëhemi bashkë e të planifikojmë për të ardhmen e vendit tonë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Faleminderit shumë veteranëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe familjeve që kanë dhënë çdo gjë që sot të jemi të lirë e ta festojmë këtë ditë të mrekullueshme në paqe”, tha Rama.