Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në fshatra të Drenicës: Dëshmi e krimeve serbe

Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë sot homazhe nëpër fshatra të Drenicës, ku kujtuan të vrarët gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu deklaroi se masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës janë dëshmi e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“27 vite më parë, Gllobari, Vërboci, Shtutica, Tërsteniku, Baks, Polluzha dhe fshatra të tjera të Drenicës, u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe. 276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, ndërsa të tjerë u dërguan në rrafsh të Serbisë me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre edhe heroi Ilaz Kodra, i cili e udhëhoqi brigadën 114”, ka thënë Haxhiu.

Kurti pas homazheve deklaroi se nevojitet më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë. Sipas Kurtit dëshmitarët e krimeve të kryera nga serbët po plaken e po vdesin.

“Pas 27 vjetëve, shumë kriminelë serbë po arrestohen ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime sa i përket edhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet të bëhet më shumë nga prokuroria dhe gjyqësori, duhet të veprohet më shpejt nga prokuroria dhe gjyqësori, për shkak se një mend dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po plaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë. Prandaj na duhet që të nxitohemi, që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”, tha Kurti.

Më 30 prill të vitit 1999 në Drenas, rreth 280 civilë u masakruan, ranë 42 dëshmorë e në mesin e tyre edhe Ilaz Kodra që udhëhoqi Brigadën 114.