Komuna e Prishtinës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Hemodializës për Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Me këtë marrëveshje, Komuna e Prishtinës pritet t’i kursejë afro 200 mijë euro, të cilat në të kaluarën shpenzoheshin për grumbullimin dhe asgjësimin e mjeteve mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare, e të cilat nga tash do të asgjësohen në QKUK.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë që do të jetë i hapur edhe për bashkëpunime të tjera që janë për të mirën e qytetarëve.
“Lë të jetë ky një vazhdim i mirëfilltë i bashkëpunimit në mes Komunës së Prishtinës dhe QKUK-së. Tash do t’i fillojmë bashkëpunimet edhe më shumë për të mirën e qytetareve, Komunës së Prishtinës dhe për të mirën e gjithë vendit”, ka thënë ai, raporton EO të hënën.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se ky bashkëpunim është përgjegjësi e tyre publike.
“Jemi të hapur edhe në për këtë bashkëpunim, fundi i fundit është përgjegjësi publike jona dhe jeni i mirëseardhur edhe në QKUK për të parë nga afër për shërbimet që i bëjmë për qytetarët e Prishtinës, por edhe të tërë Kosovës”, tha ai.
Detaje për këtë marrëveshje ka dhënë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
“Gjatë kësaj bisede kemi rënë dakrd që këta të na ndihmojnë me disa shërbime në QKMF për grumbullimin dhe asgjësimin e mbetjeve mjekësore, që Komunës së Prishtinës këto 15 muajt e fundit i kanë kushtuar mbi 200 mijë euro dhe falë këtij bashkëpunimi Komuna e Prishtinës nuk paguan më për këto shërbime”, ka thënë Sadiku. /EO