Arbëri

Kurtin e Pecin i përgënjeshtron APK-ja, vjet u mbollën 277 mijë fidanë e jo 1 milion

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e paraqitën si sukses të Qeverisë mbjelljen e 1 milion fidanëve gjatë vitit të kaluar. Por, sipas të dhënave të Agjencisë së Pyjeve vjet u mbollën 277 mijë fidanë. Nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë thonë se në shifrën e dhënë përfshihen edhe të mbjellat në fund të vitit 2021

Kryeministri Albin Kurti e ka paraqitur si sukses të Ministrisë së Bujqësisë mbjelljen e 1 milion fidanëve gjatë vitit 2022. Njëjtë tha edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në konferencën e fundvitit.

“Janë pyllëzuar mbi 111 hektarë dhe janë mbjellë mbi 1 milion fidanë që janë pjesë e zotimit edhe me institucionet e tjera”, tha Peci.

Por, të dhënat e Agjencisë së Pyjeve tregojnë se vitin e shkuar janë mbjellë gjithsej 277 mijë e 500 fidanë.

Sipas APK-së, edhe 22 hektarë janë pyllëzuar nga donatorët dhe janë mbjellë 55 mijë fidanë. Dhe të dy këto mbjellje në total bëjnë 332 mijë e 500 fidanë.

Nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë vetëm pas kërkesës së KOHËS për sqarim kanë thënë se shifrës prej 1 milion u janë referuar edhe mbjelljeve në vjeshtën e 2021-s.

“Më datë 5 qershor 2021, në Ditën Botërore të Mjedisit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u zotuan për mbjelljen e 1 milion fidanëve. Periudha e mbjelljes së drurëve ka filluar në nëntor 2021, që përputhet me kohën e përshtatshme për mbjelljen e fidanëve, dhe ka zgjatur një vit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë fazës së parë të nismës janë mbjellë mbi 1 milion e 50 mijë fidanë.

Agjencia e Pyjeve pati planifikuar që gjatë vitit 2022 të mbjellë afro 600 mijë fidanë në sipërfaqe prej 237 hektarësh. Por, shkaku i ankesave dhe zvarritjeve të procesit tenderues, pjesa e dytë është anuluar me arsyetimin se tashmë ka kaluar koha e mbjelljeve.

Po ashtu, organizata FAO ka bërë të ditur se vitin e kaluar ka mbjellë 67 mijë fidanë në 38 hektarë në kuadër të projektit “Mbështetja për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve”.

“Projekti bashkëpunoi me JICA (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe siguroi 11.000 fidanë (10 ha) në përgjigje të kërkesës së tyre për të kryer një aktivitet pyllëzimi në vjeshtë me qëllim të parandalimit të ortekëve të borës në zonën e Restelicës (Prizren)”, ka bërë të ditur kjo organizatë.

Një vit më parë APK-ja ka pyllëzuar 413 hektarë, duke mbjellë 773 mijë e 321 fidanë.

Numri më i madh i fidanëve të mbjellë ishte gjatë vitit 2020, kur Agjencia kishte pyllëzuar 380 hektarë me gjithsej 951 mijë e 500 fidanë.