Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se rasti i mjedrave është një nga shembujt të potencialit eksportues të Kosovës.
Kurti ka folur në Konferencën e 7-të të Mjedrës në Kosovë, "Mjedra - Iniciativat e reja për ndryshimet klimatike".
“Vitin e kaluar eksportet kanë qenë 83.6 për qind më të larta se sa krahasuar me vitin paraprak, pra 2020, e sivjet janë edhe 29.5 për qind më të larta sesa në vitin 2021. Ky trend i rritjes ka bërë që raporti ndërmjet eksportit dhe importit të përmirësohet nga gati 1:9 sa ka qenë në vitin 2019, në më pak se 1:6 në këtë vit. Pritjet tona janë që ky hendek i deficitit tregtar të cilin aktualisht e kemi ta zvogëlojmë sa më shpejtë dhe më tej. Përmirësimet janë të mëdha, megjithëse graduale, teksa synimi ynë është që Kosova, me ndihmën e prodhuesve të shndërrohet pra në një ekonomi të orientuar kah eksporti. Ky sukses i sektorit të mjedrave, krahas përkrahjes me grante dhe pagesa direkte, është bërë sigurisht edhe nga organizimi shembull i fermerëve të mjedrave, që inkurajojmë të ndiqet edhe nga fermerë të kulturave tjera”, tha Kurti.
Kurti tha se këtë vit Qeveria ka dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë përbujqit dhe për fermerët. E po ashtu është planifikuar buxheti më i madh për bujqësi ndonjëherë.
Ai ka thënë se në 8 vjetët e fundit, pra nga viti 2014 deri në 2022, Kosova ka prodhuar afër 29,000 tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro, pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së, ndërkaq që vetëm këtë vit u prodhuan afro 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.
“Gjatë këtij viti kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët. Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës - për 25% më shumë se sa në vitin pararendës, këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit. Ndërkaq, sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro”, tha Kurti.
-
Për tetë vjet në Kosovë janë prodhuar mbi 26.500 tonë mjedër
-
Kurti: Priten rendimente prej 4 deri në 5 tonë grurë për hektar këtë vit
-
Shumëfishimi i vlerës së subvencioneve nuk ul importet
-
Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime
-
Tkurret prezenca e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare