Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar që të zbatojë standardet më të mira të mundshme në të gjithë sektorët, sikurse është bërë në sektorin e mjedrave.
Në komunikatën e Qeverisë është bërë e ditur se për tetë vjet janë prodhuar 26.500 tonë mjedër.
Sipas tij, kështu përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve duke ju ofruar ushqime të sigurta dhe vende pune, fermerëve kushte të mira të punës, mjedisit përmirësim të vazhdueshëm, e zonave tona rurale peizazh të bukur e gjallëri.
“Përkushtimi i prodhuesve, e ka bërë të mundshme që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në 1400 hektarë sa janë tani në vitin 2021. Nga viti 2014 deri në 2021, Kosova prodhoi afër 26,500 tonë mjedër, në vlerë prej 54 milionë euro, ku pothuajse e tëra për eksport, për në vendet e BE-së, në veçanti Gjermani. Me këtë janë krijuar afro 5000 vende pune, e është përmirësuar jeta e mijëra familjeve”, tha ai.
Me temën “Tranzicioni drejt sektorit të qëndrueshëm të mjedrës në Kosovë” Kurti diskutoi me anëtarët e Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agroushqimore, të sektorit të pemëve të imëta, me pjesëmarrës nga komuniteti akademik vendor e ndërkombëtar, dhe me përfaqësuesit e CARITAS Zviceran, USAID dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar në Kosovë.