Arbëri

Shumëfishimi i vlerës së subvencioneve nuk ul importet

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se sipërfaqet e mbjella me grurë më 2023 ishin për vetëm 2 për qind më të mëdha krahasuar me vitin 2010, ndonëse pagesat direkte për këtë kulturë u nëntëfishuan. Fondet qeveritare që mbështesin fermerët dhe prodhuesit janë rritur edhe për kultura e produkte të tjera, por që sipas ekspertëve ato nuk janë treguar mjaft efikase. Importet në vitin 2024 kanë mbërritur në 6 miliardë, ndërsa eksportet në afro 1 miliard

Mbi 96 mijë tonë grurë u importuan gjatë vitit të kaluar, ani se për kultivimin e kësaj kulture bujqësore shteti investoi mbi 16 milionë euro nga paraja publike gjatë 2023-tës.

Importi i grurit mbetet në nivel të njëjtë me atë të vitit 2021, ndonëse masat stimuluese për bujqit që kultivojnë këtë kulturë ishte 387 për qind më e lartë.

Por, vjet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, u lavdëruan për investimet që Qeveria ka bërë në këtë sektor, duke thënë se nuk ka nevojë për import. Të dy përmendën edhe keqpërdorimet që sipas tyre janë bërë me subvencione në të kaluarën.

“Shtimi i prodhimit e mbulon importin dhe nuk ka nevojë për import”, pati thënë Kurti.

E Peci me të dhënën e tij ia vërtetoi argumentin Kurtit.

“Kosova për herë të parë ka arritur që të mbulojë nevojën e bukës së motmotit”, ka thënë ministri i Bujqësisë, vitin e kaluar.  

Por, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se sipërfaqet e mbjella me grurë më 2023 ishin për vetëm 2 për qind më të mëdha krahasuar me vitin 2010, ndonëse pagesat direkte për këtë kulturë u 9-fishuan.

Sipas të dhënave të draft-raportit të Gjelbër për 2024, i cili ende nuk është publikuar nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2023 janë mbjellë 80 mijë hektarë grurë dhe rendimenti ishte 303 mijë tonë.

Ky rendiment është më i ulët sesa në vitin 2021, kur kjo kulturë përkrahej me 3.3 milionë euro. Më 2021 rendimenti ishte 322 mijë tonë apo 6 për qind më i lartë se më 2023.

Guri është në mesin e shumë produkteve që Kosova edhe e subvencionon edhe e importon.

Të dhënat e Doganës tregojnë se vetëm në katërmujorin e parë të këtij viti, janë importuar mallra në vlerë prej mbi 2 miliardë euro apo 15.5 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

E kundërta ndodhi me eksportet, të cilat edhe pse të pakta në numër, pësuan rënie prej 10 milionë eurosh krahasuar me periudhën janar-prill 2024.

Kjo ka bërë që deficiti tregtar të thellohet dhe të jetë më i madh sesa në vendet e rajonit. Në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave deficiti tregtar është rritur për 7.4. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlera e eksportit gjatë vitit që shkoi ishte mbi 941 milionë euro, teksa importi mbi 6 miliardë euro.

Sipas ekonomistëve, deficiti tregtar i Kosovës shkon deri në 32 për qind të bruto produktit vendor.

Blendi Hasaj, drejtor i Instituti GAP, thotë se këto të dhëna flasin se Kosova është ekonomi konsumuese, që importon shumë, por që nuk prodhon.

“Ky konsum po vazhdon të rritet për disa arsye të themi, për shkak të një norme të theksuar të rritjes së kreditimit në vend, e cila ka qenë e theksuar sidomos në këto vitet e fundit, vazhdimin e dërgesave të mëdha të diasporës, të cilat mbi 80 për qind e tyre shkon në konsum, po ashtu investimet që po i bën diaspora në patundshmëri që e nxisin edhe importin e produkteve për ndërtim dhe çështje të ngjashme është kjo pak a shumë ajo që po e nxit konsumin në vend dhe kjo përballë një ekonomie që eksporti nuk po arrin të zgjerohet apo që të ketë kapacitete të mjaftueshme që të hyjë në tregje të reja, të rritet vëllimi i prodhimit të avancojmë disa praktika nëpër ndërmarrje që të mund të eksportojmë më shumë dhe si rrjedhojë pra ne vetëm se po shkojmë në vend se të kemi një përmirësim po e kemi një stagnim”, ka thënë Hasaj.

Rriten fondet mbështetëse, prodhimi ngec

Si një ekonomi e vogël dhe me kapacitete të kufizuara, Kosova e ka të vështirë të konkurrojë me ekonomitë e mëdha dhe të specializuara për disa produkte, siç janë nafta, veturat dhe pajisjet teknologjike.

Por, ajo nuk po arrin që t’i përmbushë nevojat e saj as me produkte që mund të prodhohen në vend, e që subvencionohen edhe nga shteti.

“Aktualisht ajo struktura kryesore e produkteve që importojmë është se pjesën më të madhe të gjërave janë disa produkte që nuk mund të kemi përparësi krahasuese siç është importi i produkteve të naftës, produkte vetura ose pajisje që janë të specializuara, makineri industriale, kondicionerë të ajrit dhe produkte të tjera sikurse plastikë. Mirëpo ka edhe të tjera që vjen te një temë tjetër sikurse që është mishi, apo disa veshje apo fruta të ndryshme të cilët pastaj hyjnë në këtë pjesën që nge pikëpyetjen se a mundet Kosova t’i zëvendësojë në masë të madhe këto produkte që po importohen në vlerën milionëshe”, ka theksuar Blendi Hasaj, drejtor i Instituti GAP.

Profesori i ekonomisë, Ilri Hajdini, thotë se është koha për klasifikim se ku duhet të ketë subvencionim.

“Kuptohet që bujqësia është shumë e rëndësishme që të mbahet një stabilitet social, atë e bëjnë të gjitha vendet gjithandej. Aty ka hapësirë që të përmirësohet qasja p.sh. sasinë, llojin dhe kush subvencionohet. Mirëpo është ekstrem e rëndësishme që të zëmë industritë të cilat kanë potencial ato të përkrahen. Po e zëmë nëse e shikojmë shërbimet në fushën e IT, apo më konkretisht kompanitë që janë duke ofruar shërbime të call center, d.m.th. kemi disa fusha në të cilat ne kemi një përparësi në krahasim me vende të tjera sepse e kemi një fuqi punëtore që e flet shumë mirë gjuhën gjermane”, ka këshilluar Hajdini.

Financimi në bujqësi është rritur ndër vite. Nga 46.9 milionë euro më 2019, vlera ka shkuar në 72.1 milionë më 2024. E rreth 2 milionë më shumë është vlera e financimit të këtij sektori më 2025.

Por, vendi vazhdon të importojë produkte që mund t’i zëvendësojë.

Vetëm vjet sipas të dhënave të Doganës së Kosovës u importuan rreth 53 mijë tonë mish nga vende të ndryshme të botës.

Të dhëna të njëjta janë edhe gjatë vitit 2023. Ndërkohë shteti për majmëri të viçave, të cilët destinohen për therje ka ndarë rreth 350 mijë euro më 2023, e më 2022 rreth 200 mijë.

Numri i përgjithshëm i gjedheve ka rënë dukshëm gjatë dekadës së fundit. Nga mbi 329 mijë copë në vitin 2012, më 2019 ishte më pak se 258 mijë.

Edhe numri i lopëve qumështore ka ndjekur të njëjtin trend, duke zbritur nga 183,340 më 2012 në 129,897 më 2023. Kjo përbën humbje prej rreth 30 për qind në një dekadë.

Ky reduktim ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sasinë e qumështit të prodhuar.

E prodhimi vendor i qumështit ka qëndruar afërsisht në nivelin 275-285 mijë tonë në vit, importi i qumështit vazhdon të jetë i lartë. Në vitin 2023, Kosova ka importuar 65,567 tonë qumësht, ndërkohë që ka eksportuar vetëm 1,811 tonë.

Kjo pabarazi evidenton varësinë nga tregjet e jashtme dhe mungesën e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendorë në tregun rajonal dhe më gjerë.

Se vendi po përballet me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, e thotë edhe profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Gjë që është evidente është se në Kosovë janë bërë shumë gabime në bujqësi në periudhën e pasluftës ne nuk krijuam një mekanizëm ekzekutiv që të ruajmë tërësinë teknologjike të tokës për pasojë u përdhunuan, u shkatërruan, u tjetërsuan, u keqmenaxhuan dhjetëra-mijëra hektarë. Sot flas me përgjegjësi të plotë profesionale dhe penale - nuk ka njeri në Kosovë që e din sa është sipërfaqja punuese për kapita apo për kokë banori”, ka deklaruar Rusinovci.

Rishikimi i politikave

Një formë mbështetjeje nga Qeveria e Kosovës për bujqësi janë edhe grantet. Ato janë rritur nga 1.2 milionë sa ishin më 2014 në mbi 4.4 milionë euro më 2022.

Ani se grantet janë katërfishuar, sipërfaqja me të mbjella më 2022 ishte 6,514 hektarë apo pak më shumë se 300 hektarë krahasuar me vitin 2019.

“Ne duhet të punojmë në terren me një emërues të përbashkët mes të gjitha shërbimeve këshillimore, dikastereve përkatës, dhe fermeri, qoftë ai prodhues apo përpunues të avancojmë prodhimin vendor. Vetëm me rezultate konkrete ne mund ta ulim importin në mënyrë që të varemi sa më pak nga tregu i jashtëm që dominohet nga vendet e afërta për shkak se transporti del me kosto më të lirë. Përderisa nuk kemi rezultate konkrete në terren ose metodologjia e masave që zbatohen nuk është e duhura ose kriteret që i aplikojnë nuk janë të qëlluara”.

Përderisa ka pasur rritje të financimit ndër vite dhe prodhimi ka mbetur i njëjtë, sipas Blendi Hasajt nga Instituti GAP duhet që të këtë rishikim të politikave.

“Duhet të ketë indikatorë të cilët sigurojnë që të kemi një kthim më të mirë nga shpërndarja e parasë publike në këtë sektor. Besoj që duhet të rishikohen tërësisht forma e subvencionimit të bujqësisë që të sigurohemi që të kemi një kthim adekuat nga investimi që po bëhet në këtë sektor pasi është shumë e rëndësishme që të kemi një avancim edhe të praktikave të mbjelljes dhe që ndihmojnë dhe tregojnë se nga shtetet e tjera që po përdorin inteligjencën artificiale që të rritet produktiviteti, në kultura të caktuara ka ndikuar që të rritet produktiviteti deri në 30 për qind”, ka thënë Hasaj.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova nuk ka politikë industriale. Sipas ekonomistëve, edhe pse ka plane apo dokumente ato kanë mbetur në sirtarë të Ministrisë së Industrisë dhe Ndërmarrësisë.

KOHA ka kërkuar nga ky dikaster qeveritar përgjigje se cilat janë masat e ndërmarra për përmirësim të deficitit tregtar, por nuk ka marrë përgjigje.

E profesori Rusinovci flet për mungesën e industrisë ushqimore që do të ndërlidhej me prodhimet bujqësore.

“Përveç që ne karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, politikat bujqësore duhet t'i motivojnë fermerët e duhur që ne të mendojmë për pasardhësit, që të aktivizojmë industrinë ushqimore, e cila ishte dikur në Kosovë dhe sot nuk ekziston. Nëse vërtet ti nuk ke leverdi ekonomike si fermer, të kultivosh grurë, nga prodhimet e grurit mund të bëhen griza të ndryshëm, gjëra të tjera që blejmë, pastiqeri të shumta, ose gruri i fortë, ose durem, pasi në rrafshin e Dukagjinit mund të kemi sukses të prodhojmë terstenie që i quajmë në popullatë makarona... Pra nëse prodhimi primar që prodhohet në bujqësi nuk finalizohet në industrinë ushqimore, në njëfarë forme ose formën tjetër nuk e kemi dhënë provimin”, ka vlerësuar Rusinovci.

Ndonëse ka pasur rritje të eksporteve viteve të fundit, deficiti është thelluar shkaku i rritjes edhe të importeve. Sipas njohësve të fushës, kjo dëshmon se rritja e eksporteve pa politika për zëvendësim të importeve nuk e ul deficitin tregtar.

“Ka nevojë që sot efikasiteti të ngrihet sepse shoh këtë potencial dhe këtë mundësi. Nuk dua të jem megalomanë që të them se Kosova mund ta bjerë importin në zero, sepse është e pamundur një gjë e tillë. Kushtet tona agroekologjike nuk përkojnë me kultivim të orizit, kafesë, agrumeve, shumë bimëve tropikale, ato duhet të blihet, por të kemi import të madh të grurit, të miellit të grurit, të produkteve të grurit për industri ushqimore që realisht është jofunksionale në Kosovë, misri, qumështi, mishit dhe nënprodhimet të mishit, është goxha e pajustifikueshme sepse vite më parë, nuk i di vlerat përmendsh, por besoj që nuk huqi shumë, kemi pasur vlerën totale të importit 700-800 milionë, pra afër 1 miliard”, ka bërë të ditur Rusinovci.

E prodhimi vendor megjithëse po financohet nga paraja publike në disa raste del të jetë më i shtrenjtë sesa produktet e importit. E kjo sipas Blendi Hasajt, është barrë e dyfishtë për qytetarin.

“Arsyeja kryesore është që nuk kemi arritur që të krijojmë produktivitetin i cili do të duhej të krijohej në sektorin e bujqësisë me formën e financimit dhe realisht ne mendojmë që orientimi të paktën duhet të jetë në dy ose tri masa të ketë indikatorë të performancës dhe të monitorohet kjo të shihet se ku janë ato hallkat që po dështojmë që të mos kemi performancë më të mirë. Ta ndërlidhim financimin me bujqësi me rendimentin që del nga kultura të caktuara, pra ta kemi një baraspeshë jo të financohet diçka me atë çka mbillet por edhe me atë se prodhohet në mënyrë që të stimulohet rritja e produktivitetit, pasi në këtë formë edhe vetë fermerët do të mundohen që të gjejnë praktika më të mira që ta rrisin produktivitetin”.

Monitorimi i investimeve

Nevojën për një monitorim më të detajuar të parave që shteti investon në sektorin e bujqësisë e shpreh edhe profesori Rusinovci.

Ai thotë se fermerët duhet të monitorohen dhe të përcillet në vazhdimësi zbatimi i hapave në mënyrë të duhur.

“Ne kemi ngecur bukur shumë pavarësisht iniciativës së mirë të Qeverisë përkatësisht dikasterit që t'i stimulojë fermerët, në monitorim, në terren që duhet t'i përcjellim në vazhdimësi për mënyrën e zbatueshmërisë së atij ose asaj mase simulative që të ketë efikasitet për një kulturë të caktuar, për një racë të caktuar të kafshëve shtëpiake, qoftë premitë e qumështit, e cila bëhet gjithmonë konform kriterit të përmbajtjes së yndyrës që duhet të jetë sipas klasave, e parë, e dytë e tretë dhe kështu me radhë. Nëse ne kemi pikësynim që Kosova të integrohet në unionin evropian, domosdoshmërisht duhet t'i atashohojmë standardet e sasisë dhe cilësisë së prodhimeve vendore, pasi përndryshe tregu të përjashton”.

KOHA ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë informata pse Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha të produkteve bujqësore, si: perimet, qumështi apo gruri, ndërkohë që këta sektorë subvencionohen nga shteti, por nuk ka marrë përgjigje.

Ajo nuk është përgjigjur as për kritikat për monitorim pas dhënies së subvencioneve e as pse disa produkte që subvencionohen nga shteti kanë çmime më të larta në treg sesa ato që importohen.

Para dy vjetësh, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar një studim që ka identifikuar 36 produkte me potencial për zëvendësim të importit.

Aty parashihet që zëvendësimi i 17 prej tyre të bëhet duke iu vënë tarifa më të larta doganore.

Sipas studimit, eksportet e produkteve shtazore përballen me disa masa që lidhen me cilësinë dhe se ato nuk eksportohen në BE, por kanë barriera të ngjashme edhe në vendet e CEFTA-s.

“Pavarësisht se nuk ka mundësi të eksportojë në këta partnerë kryesorë tregtarë, Kosova prodhon shumë produkte me origjinë shtazore për konsum të brendshëm. Megjithatë, këto produkte përballen me konkurrencë të ashpër nga jashtë”, theksohet në studim.

Nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara, Kosova ka marrë obligim të mos vendosë asnjë masë mbrojtëse për prodhimet që importohen nga vendet e BE-së e edhe ato të CEFTA-s. E, produktet nga këto vende përbëjnë 80 për qind të importit.

Sipas studimit të MINT-it, i cili është përgatitur nga një konsulent i jashtëm, produktet e bulmetit dhe mishit kanë potencial për zëvendësim të importit. E të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se Kosova qëndron mirë sa i përket vezëve, prodhim ky që mbulon nevojat e konsumit të brendshëm.