Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Imri Demelezin ministër në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Demelezi do të zëvendësojë ministrin e deritanishëm Faton Peci, pasi Peci është zgjedhur kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe pritet të betohet nesër, më 12 dhjetor.
Po ashtu edhe Faton Peci përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se e ka dorëzuar detyrën e ministrit të Bujqësisë, duke falënderuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mbështetjen e tij.
“Sot e dorëzova detyrën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tek z. Imri Demelezi, të cilit i uroj suksese dhe mbarësi në përgjegjësitë që e presin. Shpreh falënderim të veçantë për Kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti për korrektësinë, mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që kishim”- ka shkruar Peci.