Avokati Azem Vllasi është sulmuar me armë zjarri të hënën në mëngjes, në afërsi të zyrës së tij të punës në kryeqytet.
Vllasi, pasi ka marrë plagë në kraharor, është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, raporton KTV.
Drejtori i Klinikës së Emergjencës, Basri Lenjani, ka thënë se Vllasi është i shtrirë ne klinikën e traumatologjisë dhe se është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arritur që në bashkëpunim me AKI-në brenda ditës ta arrestojë të dyshuarin kryesor, Murat Jasharin, i cili është vëlla i dëshmorit Ismet Jashari - Kumanova.
Rasti, motivet e të cilit ende nuk dihen, është cilësuar si vrasje në tentativë.
Megjithatë, avokati Vllasi ka thënë se sulmuesi ishte një atentator i porositur dhe se kishte një armë zjarri me silenciator.
Edhe
I dyshuari për plagosjen e Azem Vllasit mbrohet në heshtje
“Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askënd”, ka thënë Vllasi për Evropën e Lirë.
Policia ka konfirmuar llojin e armës, të cilin e ka konfiskuar në cilësinë e provës materiale. Zyrtarët e saj kanë shtuar se Policia intensivisht do të punojë në zbardhjen e këtij rasti.