Zyrtarët e katër komunave të rajonit të Prishtinës nuk kanë arritur t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Edhe pse kanë formuar plane të veprimit për këtë çështje, pak rekomandime i kanë zbatuar gjatë vitit të kaluar. Ky institucion me më së shumti rekomandime të pazbatuara e ka vënë Komunën e Podujevës, pastaj atë të Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe në fund Graçanicën.
Raporti i ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore (PFV) të vitit 2017 të Komunës së Podujevës ka rezultuar në 22 rekomandime. Siç thuhet tutje, Komuna kishte përgatitur një plan veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatojë rekomandimet e dhëna, shkruan sot Koha Ditore.
“Raporti i AP-së ishte diskutuar në Asamblenë Komunale, po ashtu ishte bashkangjitur edhe Plani i Veprimit për rekomandimet e dhëna. Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2018, shtatë rekomandime nga viti 2017 janë zbatuar, katër në proces, tetë nuk janë adresuar ende, derisa tri rekomandime janë të mbyllura të pazbatuara”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Numër më të vogël të rekomandimeve kishte pasur Komuna e Fushë-Kosovës. Raporti i Auditorit për PFV-të të vitit 2017 kishte rezultuar me 17 rekomandime.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)