Analisti politik, Melazim Koci, ka thënë se reagimi i Ambasadë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ndaj përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është reagimi më i ashpër ndonjëherë i diplomacisë amerikane ndaj Kosovës.
Sipas tij Ambasada Amerikane ka thënë se “po rrezikohen interesat e saj”.
Koci ka thënë se reagim më të rëndë të Ambasadës nuk ka pasur asnjëherë.
“Kësaj radhe reagimi i Ambasadës Amerikane është i jashtëzakonshme. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Ambasada Amerikane të thotë që rrezikohen interesat amerikane në Kosovë, kjo është hera e parë, ky është niveli i më i lartë nëse flasim për marrëdhënie ndërkombëtare, është niveli më i lartë i artikulimit të diplomacisë amerikane në raport me një vend, nuk ka kualifikim më të rëndë”, është shprehur Koci në “Konfront” të KTV-së.
“Kemi pasus dhe më herët, por këtë kualifikim kaq të ashpër nuk e kemi pasur, është kualifikimi më i ashpër i mundshëm”, ka shtuar ai.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori i këtij viti për shkak të “veprimeve që kanë rritur tensionet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti”.