Luzha: VV-ja e Kurti të distancohen nga Sami Kurteshi

6 min. më parë / 4 dhj 2025 21:05
Besa Luzha

Analistja politike, Besa Luzha,  ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, duhet të distancohen nga gjuha e ashpër e anëtarit të tyre në KQZ, Sami Kurteshi. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Luzha ka thënë se Kurti ka kohë ende për ta “rikuperuar dëmin”.

“Unë bëj thirrje që z.Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me maturi, ende ka kohë për ta rikuperuar dëmin, p.sh. të distancohen nga gjuha e ashpër që z.Kurteshi ka përdorur edhe për mediat brenda në KQZ. Të japin një prononcim që ne përkundrazi, nuk jemi për ta dëmtuar interesat as të amerikanëve që i kemi aleatë dhe duhet presim vendimet e institucioneve”, ka thënë ajo.

Ndërsa për moscertifikimin e Listës Serbe, gjë që ka ngjallur reagime edhe te ndërkombëtarët, Luzha ka thënë se Vetëvendosja mund ta përdorë fushatën elektorale që të thonë se në rast se vijnë sërish në pushtet, do të marrin masat ligjore që ta pamundësojnë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje.

“Për mua, Lëvizja Vetëvendosje ka plotësisht të drejtë në kauzën e vet edhe në fushatë të thonë; ne gjatë fushatës premtojmë që herën e ardhshme posa të vijmë në pushtet do t’i marrim të gjitha masat ligjore që ta pamundësojmë Listën Serbe për të qenë pjesë më tutje. Dhe aty përfundon ajo punë”, ka shtuar ajo. 

Koci: Hera e parë që SHBA-ja e tha troç se po i rrezikohen interesat e saj

13 min. më parë / 4 dhj 2025 20:59
Melazim Koci

Analisti politik, Melazim Koci, ka thënë se reagimi i Ambasadë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ndaj përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është reagimi më i ashpër ndonjëherë i diplomacisë amerikane ndaj një vendi. 

Sipas tij Ambasada Amerikane ka thënë se “po rrezikohen interesat e saj”. 

Koci ka thënë se reagim më të rëndë të Ambasadës nuk ka pasur asnjëherë. 

“Kësaj radhe reagimi i Ambasadës Amerikane është  i jashtëzakonshme. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Ambasada Amerikane të thotë që rrezikohen interesat amerikane në Kosovë, kjo është hera e parë, ky është niveli i më i lartë nëse flasim për marrëdhënie ndërkombëtare, është niveli më i lartë i artikulimit të diplomacisë amerikane në raport me një vend, nuk ka kualifikim më të rëndë”, është shprehur Koci në “Konfront” të KTV-së. 

“Kemi pasus dhe më herët, por këtë kualifikim kaq të ashpër nuk e kemi pasur, është kualifikimi më i ashpër i mundshëm”, ka shtuar ai. 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori i këtij viti për shkak të “veprimeve që kanë rritur tensionet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti”.

Sopi: Me moscertifikimin e Listës Serbe janë prekur interesat e SHBA-së

17 min. më parë / 4 dhj 2025 20:55
Agim Sop

Agim Sopi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se me moscertifikimin e Listës Serbe janë prekur interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në “Konfront” të KTV-së, ai ka thënë se SHBA-në dhe shtetet tjera partnere bën të mos dëgjohen vetëm në raste kur ka luftë dhe “ti detyrohesh ta mbrosh shtetin e kufijtë”.

“E thanë (SHBA-ja) që është vendosur në rrezik stabiliteti i Kosovës dhe interesi amerikan. Është paralajmërim serioz. Do të ndodhte diçka e tillë vetëm nëse trupat serbe hyjnë në Prishtinë. Atëherë ti nuk e dëgjon asnjë këshillë sepse duhet ta mbrosh shtëpinë tënde e edhe kufirin tënd. Por ti një subjekt politik të cilin e ke, përfaqësuesit e një etnie, të cilën e ke në Kushtetutë me 10 vende të rezervuara vetëm për atë etni, gjuhën e të cilës e ke në Kushtetutë, si gjuhë zyrtare bashkë me gjuhën shqipe. Dhe i ke në të gjitha mekanizmat... nga niveli lokal e deri te më i larti. Republika e pavarur e Kosovës është krijuar me këtë kusht. S’e kemi krijuar ne me luftë si Tugjmani. E kemi bërë me avionët e NATO-s Republikën e Kosovës. Nuk mundemi tash një shpi që na ka ndërtuar dikush, me kazmë të nisim t’ia rrënojmë temelet”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarata e SHBA-së duhet të merret me seriozitet pas lajmërimeve të mëhershme nga presidenti Donald Trump se e ka ndalur një luftë të re në Kosovë.

Sefaj: Moscertifikimi i Listës Serbe, antiligjor - në KQZ po sillen si fëmijë të marrë

37 min. më parë / 4 dhj 2025 20:35
Ali Sefaj

Ali Sefaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit është vendim antiligjor. Sipas tij, me këtë vendim anëtarët e KQZ-së po sillen si fëmijë, duke marrë parasysh se vendimi i njëjtë është përmbysur në instanca më të larta në disa raste paraprakisht.

Sefaj ka thënë në “Konfront” të KTV-së, se Kosovës nuk i duhen institucione që “për teke apo për shkak të linçimit të mundshëm” shkelin ligjin.

“Në vendimmarrjen për të mos u votuar Lista Serbe është shkelur ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Një parti politike e regjistruar, që ka garuar para tre muajsh në zgjedhje pasi iu ka nënshtruar krejt kësaj procedure dhe në fund PZAP-ja e Gjykata Supreme e dhanë verdiktin... E përkundër saj, krejt këtë zhurmë që e kemi pasur apo shqetësim nga miqtë ndërkombëtarë, këta na e përsërisin të njëjtën lojë. Dhe duken si fëmija i marrë kur luajnë futboll e thonë është topi im. Ose duhet t’ia nisim lojën nga fillimi e të mos i numërojmë golat ose marrim topin e ikim te shtëpia”, ka thënë ai.

Sefaj ka thënë se anëtarë të Listës Serbe kanë kryer vepra kriminale, por ka shtuar se kjo duhet të përcaktohet nga instanca të tjera.

“Bota dhe Evropa kanë vendosur standarde ku për shkak të disa individëve, s’mund të sanksionosh një komunitet apo subjekt politik. Kjo s’e bën Listën Serbe normale, por duke shkelur ligjin sillemi më keq sesa Lista Serbe në sytë e atyre që na ndihmuan të bëhemi shtet dhe shoqëri e mirëfilltë kur ishim të rrezikuar për zhdukje”, ka thënë ai.