LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja dhe BE-ja kritikojnë LVV-në për moscertifikimin e Listës Serbe

Shkurtpamëse dhe përçarëse i ka cilësuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Me tone kritike reagoi edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe diplomatë të tjerë. Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në PZAP

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori i këtij viti për shkak të “veprimeve që kanë rritur tensionet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti”.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në reagim. 

Edhe Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit. 

“Vendimi i KQZ-së reflekton politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera, gjë që bie ndesh me parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës. Sjellje të tilla janë të dëmshme për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së. 

Ndërsa ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, e ka quajtur sjellje penguese duke thënë se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike. 

“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, ka shkruar Rudolph.

Kritika për moscertifikimin e Listës Serbe janë dhënë edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe. Jonathan Hargreaves ka thënë se veprimet e tilla kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë.   
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës kur u pyet të mërkurën pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e 10-të të Mjedrës. 

Avokati i Popullit ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj. 

Ky institucion ka theksuar se shteti ka detyrimin pozitiv të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë garuesit politikë, duke garantuar që çdo kufizim të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj. 

“Avokati i Popullit rikujton se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe e jo përmes vendimeve administrative”, thuhet në reagimin e avokatit të Popullit. 

Siç ka thënë më tej avokati i Popullit çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon këtë të drejtë dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor. 

Avokati i Popullit rikujtoi se sipas praktikave ndërkombëtare, masat që prekin ekzistencën ose pjesëmarrjen e një partie politike, përfshirë moscertifikimin, duhet të bazohen në një ligj të qartë, të qasshëm dhe të parashikueshëm, si dhe të respektojnë plotësisht procedurat e parashikuara me ligj. 
“Ndërhyrjet parandaluese janë të lejueshme vetëm kur bazohen në veprime konkrete të ndaluara me ligj dhe në vendime të formës së prerë të gjykatës, e jo në bazë të qëndrimeve politike”, thuhet në reagim. 

E Lista Serbe të mërkurën ka dorëzuar ankesë në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i LS-së, Zlatan Elek, në një konference për media the se për të tretën herë, këtë vit, KQZ-ja i shkeli të drejtat e popullit serb me moscertifikimin e Listës Serbe. 

“Lista Serbe është padyshim partia më e fortë serbe në Kosovë dhe M. Ajo fitoi më shumë vota në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Të dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe janë nga Lista Serbe, si dhe dy të tretat e këshilltarëve. Lista Serbe është partia me raportin më të mirë financiar në vitet e fundit. Pavarësisht faktit se ne kemi të drejtë të marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare, regjimi i Albin Kurtit dëshiron ta pengojë Listën Serbe ta bëjë këtë, dhe të drejtën e popullit serb për të zgjedhur përfaqësues legjitimë nga populli serb”, ka thënë Elek. 

Dy anëtarët e VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së martës votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Shtatë anëtarë abstenuan, ndërsa dy të tjerë, anëtarja serbe dhe kryesuesi Kreshnik Radoniqi, votuan për. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori votat e mjaftueshme për certifikim.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt dhe ato lokale më 12 tetor. Asokohe, KQZ-ja s’e pati certifikuar Listën Serbe, por ishte urdhëruar ta bënte një gjë të tillë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).