Zgjedhjet 2025

Nxit reagime mosmiratimi i listës së kandidatëve për deputetë të Listës Serbe

KQZ

Foto: Driton Paçarada

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe ka nxitur reagime nga akterët ndërkombëtarë.

Sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë ky vendim është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka thënë një zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Prishtinë për Radion Evropa e Lirë. 
Të shtunën e javës që shkoi KQZ-ja ka shpallu rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Për këtë Lista Serbe të hënën ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). 

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas ankesës së Listës Serbe të dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me mosmiratimin e listës së kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

OSBE-ja ka vlerësuar se ankesa është bërë ndaj dështimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili javën e kaluar nuk ka publikuar në mënyrë formale rezultatet për këtë subjekt politik.

Misioni i OSBE-së ka theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, duke vënë theks të veçantë te transparenca dhe publikimi gjithëpërfshirës i rezultateve zgjedhore. 

Sipas OSBE-së, këto parime janë thelbësore për “garantimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor”.

Ndërkohë ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, derisa ka komentuar reagimet e Ambasadës amerikane dhe OSBE-së ka thënë se diplomatët janë për të kryer detyrat e tyre në avancimin e marrëdhënieve mes shteteve, por nuk kanë të drejtë të qasen në këtë mënyrë pasi ata nuk janë gjyqtarë.

Baraliu në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se këtë çështje megjithatë e vendosë PZAP-ja dhe instancat e tjera të përcaktuara.

“Nuk janë diplomatët gjyqtarë e as kujdestarë, ata janë të demokracisë. As OSBE-ja e as kushdo tjetër. Ata janë për t’i kryer detyrat e tyre diplomatike në avancimin, kultivimin e përparimin e marrëdhënieve në një shtet tjetër. Marrëdhëniet tona me SHBA-në janë të një aleance të dëshmuar prandaj ata kanë të drejtë të deklarojnë por jo kështu të intervenojnë sepse nuk është fundi i botës. Po flas parimisht për zbatimin e ligjit e kushtetutës. Në funksionimin demokratik askush s’ka të drejtë as nga brenda e as nga jashtë të intervenojë sepse është një organ tjetër në këtë rast PZAP-ja, ku kanë të drejtë të gjitha subjektet politike t’i adresojnë pakënaqësitë”, ka thënë Baraliu.