Arbëri

OSBE-ja reagon pas ankesës së Listës Serbe për rezultatet zgjedhore

OSBE

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas ankesës së Listës Serbe të dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me mosmiratimin e listës së kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

OSBE-ja ka vlerësuar se ankesa është bërë ndaj dështimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili javën e kaluar nuk ka publikuar në mënyrë formale rezultatet për këtë subjekt politik.

Misioni i OSBE-së ka theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, duke vënë theks të veçantë te transparenca dhe publikimi gjithëpërfshirës i rezultateve zgjedhore. 

Sipas OSBE-së, këto parime janë thelbësore për “garantimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor”.

OSBE ka bërë të ditur gjithashtu se do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje.

Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet dhe kandidatët për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para së të bëhet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Ankesë pati paralajmëruar kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me pjesën tjetër të anëtarëve të KQZ-së që abstenuan nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.