Arbëri

Koci: BE-ja s'do t'i heqë masat për një kohë të gjatë

EU Kosova BE Flamura

Ilustrim

Foto: Alban Bujari

Edhe pse Bashkimi Evropian pati thënë se masat ndaj Kosovës do t’i heqë pasi të kryhej “transferimi normal i pushtetit lokal në komunat veriore”, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pas transferimit të pushtetit, BE-ja ka deklaruar se diskutimet për heqjen e masave do të zhvillohen pas formimit të qeverisë së re.

Ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, Melazim Koci, i ka quajtur skandaloze veprimet e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, teksa ka thënë se BE-ja nuk do t’i heqë masat për një kohë të gjatë. 

KOHA pati raportuar sipas burimeve diplomatike në BE se heqja e masave nuk pritet të ndodhë, së paku jo para se të përfundojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit. Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, pati raportuar ditë më parë se këto burime kanë konfirmuar se Franca e Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër, “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. 

Koci të enjten në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që pas formimit të Qeverisë, BE-ja të parashtrojë kërkesa të tjera shtesë, një prej të cilave edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

“Ne jemi shpesh të kujdesshëm dhe është mirë që jemi të kujdesshëm kur bëjmë vlerësime, por t’i thuash një vendi të vogël siç është Kosova me 1 milion e 600 mijë banorë para dy javësh që masat do të hiqen nëse transferimi i pushtetit në komunat veriore bëhet në mënyrë paqësore, gjë që u bë, pastaj pas transferimit të thuash, siç i thotë Brukseli Kosovës që duhet diçka tjetër shtesë tani, pra të formohet Qeveria, nuk e përjashtoj mundësinë pas formimit të Qeverisë të kërkohet themelimi i Asociacionit, kthimi i gjykatësve e policëve serbë në veri, normalizimi apo njohja e dyanshme Kosovë-Serbi, pra kemi të bëjmë me një varg kërkesash të BE-së që i kanë në tavolinë por që nuk kanë të bëjnë me politikën reale, kanë të bëjnë me pazaret brenda vetë BE-së”, ka deklaruar ai.

Në diskutimet në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së javën e shkuar, kur u diskutua për konkluzionet që duhet të miratohen në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, kishin dalë në shesh përsëri ndasitë mes vendeve anëtare.

Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë me të cilët foli KOHA, “po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojë të dyfishtë”. Franca ka shprehur dyshime nëse palët kanë ndërmarrë hapa të sinqertë për depërshkallëzim në veri gjatë vitit 2025. Por edhe pse ka përmendur “palët”, fakti është se vetëm Kosova ka pësuar sanksione nga kjo situatë. Serbia nuk ka pasur sanksione, edhe pse vetë BE disa herë është shprehur se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në veri ka qenë “shkelja më e rëndë e obligimeve të Serbisë nga marrëveshjet e dialogut”.

Italia, nga ana tjetër, sipas diplomatëve, është shprehur se duhet pritur tash përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave. Vendet të cilat në fakt kundërshtojnë heqjen e masave përmendin se edhe kur të ndodhin ato duhet të hiqen “në mënyrë graduale”.

Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.

Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës, përderisa një “entuziazëm të tillë” nuk e ndan Komisioni Evropian. Shumë vende të BE-së janë të irrituara me këto masa dhe i shohin ato si një “dëshmi se BE nuk ka pasur qasje të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë”.