Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës drejt heqjes graduale të masave të vendosura ndaj Kosovës, por pasi të zgjidhen ato.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Yuliya Matsyk, ka thënë se Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë — dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së.
“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve... BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigje.
KOHA ka raportuar të dielën se BE-ja nuk do t’i heqë masat ndaj Kosovës as pas transferimit të pushtetit lokal në veri.
KOHA mëson se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër, “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë, “po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojën e dyfishtë”.