Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të hënën pritet që BE-ja të heqë përfundimisht të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian

Burimet e BE-së thanë për Kohën se të gjitha procedurat teknike janë kryer nëpër strukturat e BE-së dhe vendet anëtare në takimin e COWEB vetëm do të pranojnë këtë vendim të Komisionit Evropian të hënën, më 2 mars.

Bashkimi Evropian pritet që të hënën, më 2 mars, të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura para më shumë se dy vite e gjysmë. Koha mëson nga burimet e BE-së se vendimi për këtë është marrë nga organet përkatëse të Komisionit Evropian dhe do të miratohet edhe nga vendet anëtare në takimin e Grupit punues për Ballkanin Perëndimor (COWEB) të hënën, në takimin e tyre në Bruksel.

Burimet e BE-së thanë se të gjitha procedurat teknike janë kryer nëpër strukturat e BE-së dhe vendet anëtare në takimin e COWEB vetëm do të pranojnë këtë vendim të Komisionit Evropian të hënën, më 2 mars.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës e kishte paralajmëruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani. Në atë kohë, nga Komisioni Evropian kishin paralajmëruar se të gjitha masat do të hiqen “në pjesën e hershme të vitit 2026”. Prej atëherë, në Komisionin Evropian arsyetoheshin se “janë duke punuar në heqjen e masave të mbetura” dhe se do të përmbushet paralajmërimi i presidentes Ursula von der Leyen.

Në fund të vitit të shkuar, Komisioni Evropian i kishte hequr masat për rreth 50 për qind të asistencës financiare, në vlerë prej përafërsisht 216 milionë eurosh. Tash do të hiqen të gjitha masat, duke përfshirë edhe lirimin e 205 milionë eurove mjete nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si ndëshkim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja dhe disa partnerë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i vlerësuan si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.

Në kohën kur masat u vendosën, shumë shtete të BE-së i mbështetën ato duke menduar se janë vetëm të kufizuara. Por u kuptua më vonë se ato janë shumë të zgjeruara dhe kapën një shumë prej rreth gjysmë miliardi eurosh mjete financiare që iu bllokuan Kosovës nga fondet e ndryshme të Bashkimit Evropian.

Krahas masave ndëshkuese financiare, BE-ja kishte vendosur edhe masa në formën e refuzimit të takimeve në nivel të lartë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, me përjashtim të takimeve në kuadër të dialogut, situatës në veri dhe takimeve e vizitave në nivel të gjithë rajonit.

Nga burimet e Komisionit Evropian mësohet se mes datave 11 dhe 13 mars Kosovën do ta vizitojë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Ajo deri më tash, në 14 muaj të mandatit të saj, nuk e kishte vizituar asnjëherë Kosovën, ndërkohë që i kishte vizituar të gjitha vendet e tjera të rajonit. Pos masave ndaj Kosovës, si arsyetim për mosvizitë në Kosovë të komisioneres Kos ishte përmendur edhe fakti se Kosova gjatë tërë vitit 2025 nuk ka pasur qeveri me legjitimitet të plotë dhe komisionerja nuk ka pasur me kënd të takohet.

Pos masave ndëshkuese financiare, pritet të hiqen edhe të gjitha masat e tjera, përfshirë edhe ato politike.