Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke u bërë thirrje që të hiqen menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka thënë se masat kanë qenë nga fillimi të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive. E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj thotë se mbetet e paqartë se cili do të jetë fati i masave të karakterit politik
Thirrje që të hiqen menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës i janë adresuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, nga një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian.
Lajmin e ka bërë të ditur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në një postim në platformën X, tek ka bërë publike edhe letrën që u është dërguar zyrtarëve të lartë të BE-së.
“Ne, deputetët e nënshkruar të Parlamentit Evropian, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Masat që Komisioni Evropian i hartoi dhe i vendosi ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Ato nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes, dhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur asgjë me këto masa përveçse një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian”, thuhet në letër. “Ndikimi negativ i masave të Bashkimit Evropian në shoqërinë e Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës. Organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori i energjisë dhe shumë të tjerë po vuajnë nga këto masa të panevojshme”.
BE-ja i vendosi masat pas vendimit të Qeverisë për të mos iu bindur thirrjeve që të ndalen veprimet për shtrirjen e kushtetutshmërisë në veriun e banuar kryesisht me serbë. Ato u vunë, pasi Brukseli zyrtar vlerësoi se situata u eskalua, me vendosjen në ndërtesat komunale në veri, të kryetarëve shqiptarë të cilët u zgjodhën në një proces elektoral që u bojkotua nga serbët.
Në letrën që eurodeputetët ua kanë dërguar zyrtarëve të lartë të BE-së, shkruan se ndikimi i masave ndëshkuese ndihet kryesisht në jetën lokale dhe më pak në nivel qeveritar.
“Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes masave të tilla duhet të ndalet duke i hequr 100 për qind të masave. Heqja e 50 për qind të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që menjëherë t’u japë fund këtyre masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025”, thuhet në letër.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Samitin e javës së shkuar mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor tha se masat ndaj Kosovës do të hiqen. Paralajmërimi u dha pas tranzicionit të pushtetit në katër komunat veriore, i cili u bë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Lajm i mirë për Kosovën! Transferimi i qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale ishte paqësor. Falë kësaj, jam i lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare. Dhe kemi ndërmend të lëvrojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, pati shkruar ajo në “X”.
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se kërkesa e deputetëve të Parlamentit Evropian është e logjikshme pasi edhe më parë kanë qenë të frustruar me masat që Komisioni i mbante ndaj Kosovës
“Në anën tjetër, deklarata e Presidentes së Komisionit Evropian Ushulla von der Leyen se masat do të hiqen në tërësi i ka befasuar si duket edhe stafin e saj dhe zyrtarët në Komisionin Evropian sepse pikërisht strukturat e Komisionit Evropian ishin ato që manipulonin me mundësinë për t’i mbajtur masat kundër Kosovës. Tash as ata nuk kanë ndonjë rrugëdalje tjetër dhe pritet që masat menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, më së voni në fund të janarit, të hiqen në tërësi, në fakt sa u përket masave që kanë të bëjnë me mundësitë financiare”, ka theksuar Palokaj.
Palokaj shton se mbetet e paqartë se cili do të jetë fati i masave të nivelit politik.
“Pra, refuzimit që të ketë takime me zyrtarë të lartë të Kosovës, ato masa nga shumica e vendeve anëtare nuk ishin respektuar edhe ashtu. Ndërkohë që mungesa e takimeve në nivel të lartë kishte të bënte më shumë me faktin se Kosova nuk i kishte formuar strukturat shtetërore me legjitimitet të plotë pas zgjedhjeve të fundit. Pra, nëse së shpejti, menjëherë pas zgjedhjeve do të formohen institucionet e Kosovës atëherë pritet që as masat politike të jenë në fuqi”, ka potencuar ai.
Edhe presidentja Vjosa Osmani, gjatë samitit ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.
Sipas letrës, nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.