Profesionin e policit punëtorët e ndërmarrjes komunale “Prishtina Parking” po e ushtrojnë tash e sa kohë. Këto kompetenca, të cilat ekzistojnë edhe në rregulloren e re, i ka kundërshtuar Ministria e Drejtësisë.
Më 15 janar 2024, në shqyrtimin e ligjshmërisë së kësaj rregulloreje kjo ministri pati thënë se “Prishtina Parkingu”, nuk mund të shqiptojë sanksione kundërvajtëse për qytetarët. Sipas tyre, neni 22 paragrafi 1, 3, 8 dhe 9 duhet të rishikohen, ku në mesin e tyre përfshihet edhe konfiskimi i veturave të qytetarëve, si dhe vendosja e bllokadave në rrota.
Megjithatë ende nuk është marrë asnjë veprim për adresim të tyre nga ana e autoriteteve komunale.
Këto dhe parregullsi të tjera në rregulloren e re të “Prishtina Parkingut”, i ka kundërshtuar edhe Grupi për Studime Ligjore dhe Juridike. Ata së fundmi kanë dërguar edhe kërkesë në Komunën e Prishtinës për ta hedhur prapë në rivotim këtë rregullore.
Problematika e qasjes dhe e përpunimit të të dhënave të qytetarëve, tejkalimi i kompetencave të “Prishtina Parkingut” në menaxhimin e hapësirave publike jashtë parkingjeve, shtojca jo e plotë e çmimores dhe kategorizimit të çmimeve dhe nene të tjera të rregullores, sipas Liridon Salihit, nga GLPS, nuk janë në rregull.
“Ne vlerësojmë se me këtë rregullore në mënyrë të kundërligjshme iu është dhënë kompetencë “PP”, në menaxhim iu është dhënë edhe shfrytëzimi i hapësirave publike jashtë parkingjeve. Në anën tjetër është tejet shqetësuese iu është dhënë edhe një kompetencë tjetër ajo e bllokimit dhe konfiskimit të veturave që prapë bie në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor që ka qenë në fuqi kur është votuar kjo rregullore, por edhe me ligjin aktual, i cili është në fuqi. Çështje tjetër ka qenë edhe mos marrja në konsideratë e vlerësimeve të MD-së, përkitazi me ndryshimet e këtij akti... Përveç këtyre mungojnë edhe shtojcat e çmimores për zonën tre e shumë të tjera”, ka thënë ai.
Kalimin e kësaj rregulloreje në dhjetor të vitit të kaluar e kishte ndihmuar edhe LVV-ja. Por, Feim Osmani, nga kjo parti, e pranon faktin që rregullorja i ka mangësitë e veta.
“Rregullorja e kemi cekë shumë herë që nuk është më e mira e mundshme, mirëpo ne kemi bërë aq sa kemi mundur dhe aq sa kemi pasur në dorë pjesët që i kemi cilësuar bukur shumë herë edhe skandaloze. Mirëpo nen për nen e kemi shqyrtua por nuk e kemi hartuar ne këtë rregullore, ne i kemi dhënë vërejtjet tona brenda seancës mirëpo është bukur e vështirë që të gjendet një mirëkuptim prej të gjithë asamblistëve që një pjese ju pëlqen e një pjese jo. Nëse do të vijë në kuvend do të bëjmë përpjekje që ta përmirësojmë”, ka thënë asamblisti i VV-së.
Zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku, parregullsitë e vërejtura në rregullore nga GLPS-ja i quan pretendime të tyre.
“Janë disa pretendime të cilat i ka dorëzuar më 5 prill GLPS-së. Po besoj që brenda një afati një mujor do të trajtohen fillimisht nga zyra ligjore e kabinetit të kryetarit si dhe të vije në një përfundim dhe të shihet se a ka nevojë që këto pika të ridërgohen në kuvend që të plotësohet dhe ndryshohet rregullorja për “Prishtina Parkingun”. Sigurisht që edhe ju do të njoftoheni për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Lushaku.
Rregullorja e re për “Prishtina Parkingun” ka hyrë në fuqi që nga 21 janari i këtij viti dhe që nga fillimi i zbatimit ka pasur ankesa për të.
Parregullsitë e tjera në këtë rregullore sipas GLPS-së janë edhe rritja e çmimeve për parkingjet me laura në Zonën I, mungesa e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara në vendparkingjet publike, mungesa e çmimores për Parkingjet Private dhe për Zonën 3, dhe mosadresimi i disa propozimeve të votuara nga asamblistët në draftin final të Rregullores.