Për shkak të keqplanifikimeve në projektin për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit “Bedri Pejani”, Komuna e Pejës ka kontraktuar një kompani për të rrënuar gur themelin që vetë e vendosi. Kjo Komunës i ka kushtuar 36 mijë euro. Gjithashtu Komuna ka hapur përsëri tender për ndërtimin e objektit të gjimnazit me vlerë 1 milion euro më shumë se tenderi paraprak.
Gur themeli që u vendos në vitin 2021 për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, tani është duke u rrënuar.
Komuna e Pejës ka kontraktuar një kompani për të larguar betonin dhe për të rrafshuar hapësirën ku planifikohet objekti i ri i gjimnazit. Kjo i ka kushtuar Komunës 36,637.50 euro.
“Të bëhet demolimi dhe largimi i mbetjeve nga betoni dhe pastrimi i plotë nga të gjitha mbetjet ndërtimore, duke përfshirë demolimin e mureve, shtyllave dhe themelpllakës, të cilat janë nga beton armeja. Pastrimin e mbeturinave ekzistuese dhe heqjen e pengesave të ngjashme me këto”, shkruan në tender te shtojcat e specifikimeve teknike të detyrueshme.
Punimet për ndërtimin e objektit u ndërprenë para dy vjetësh, pasi në planin ndërtues ka pasur keqplanifikime. Gërmimet në tokë kanë shkuar deri në 5 metra, gjë që ka shkaktuar shpërthimin e gypave të ujit, dhe ka pamundësuar vazhdimin e punimeve.
Këtë e kanë thënë edhe në kompaninë “BM Group”, e cila ka qenë e kontraktuar për të kryer punimet.
“Mbikëqyrësit e projektit kanë kërkuar që të shkojmë në nivel më poshtë të gërmimeve, e për atë arsye ka pasur shpërthim të gypave të ujit. Pastaj me mirëkuptim me Komunën kemi vendosur t’i ndërpresim punimet që të hapet tenderi përsëri”, ka thënë Bedri Gllareva, drejtor i kompanisë.
Në Komunën e Pejës nuk kanë treguar vlerën e shumës së shpenzimeve për punimet që u lanë në gjysmë.
Sipas dosjes së tenderit, Komuna ka qenë e obliguar që ta paguajë kompaninë 300 mijë euro, në vitin e parë të punimeve.
Pas dështimit për t’u bërë gjimnazistët me objekt të ri, Komuna ka hapur përsëri tender për godinën e re. Saktësisht 3,070,665.98 euro është vlera që kap tenderi i hapur në fillim të tetorit. Rreth 2 milionë euro ishte shuma që ishte ndarë për tenderin paraprak.
Objekti i tanishëm i gjimnazit shkencor dhe shoqëror, i cili zë një hapësirë prej 3 hektarësh, është në gjendje të mirë infrastrukturore.
Musa Nikqi, drejtor i shkollës, e arsyetoi nevojën e ndërtimit të një objekti të ri me mbajtjen e mësimit tërëditor.
“Arsyeja e ndërtimit të një gjimnazit të ri ka rrjedhur, ngase i kemi përfunduar trajnimet e kurrikulës bërthamë që ka qenë mësimi tërëditor, e kemi parë si nevojë të domosdoshme që të kemi një objekt të ri për të pasur mësimin gjithëditor për nxënësit”, ka thënë ai.
Nikqi ka treguar se është paraparë që mësimi të zhvillohet në dy objektet.
“Në dy objektet do të zhvillohet mësimi, meqë në këtë objekt nuk kemi shumë hapësira për kabinete. I riu do të ketë për çdo lëndë kabinete”, ka thënë ai.
Objekti 87 vjet i vjetër ka 35 klasa mësimore për 1,500 nxënës. Para katër vjetësh numri i nxënësve në këtë shkollë ishte 1,870.
Godina e re planifikohet të ndërtohet afër objektit të vjetër.