Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Muhaxheri mohon shkelje, MAPL shpall të kundërligjshëm vendimin për këmbim të pronës

peja prona

Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.

Më 17 prill 2025, Kuvendi Komunal në Pejë, kishte disa pika në rend të ditës për shqyrtim. Njëra ndër to, ishte edhe këmbimi i pronës së paluajtshme komunale afër 2 milionshe,  me pronarë privatë, e cila gjendet në rrugën Konstantini i Madh apo siç quhet ndryshe prona tek ish-Ambienti. Me 17 vota pro, kuvendi komunal votoi pro propozimit të kryetarit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke pasur parasysh që vendimi i Kuvendit Komunal për këmbim të pronës, sipas procedurave i dërgohet për shqyrtim të ligjshmërisë Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Betimi për Drejtësi ka kërkuar një përgjigje edhe nga ky dikaster.

Ndonëse, kryetari Muhaxheri vlerëson se nuk ka kundërligjshmëri në vendimin e këmbimit të pronës, përgjigja e MAPL-së, e thotë të kundërtën.

Sipas përgjigjes së tyre, thuhet se vendimi i datës 17 prill 2025  mbi miratimin për këmbimin e pronës se paluajtshme të komunës me pronarë privatë është vlerësuar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

“Kërkesa për rishqyrtim dërguar komunës së Pejës, i përmban arsyet për të cilat akti është vlerësuar se është kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Komuna e Pejës, nuk ka ndërmarr veprimet e nevojshme, sipas kërkesës se MAPL-së, për harmonizimin e aktit, brenda afatit prej 30 ditësh, prandaj MAPL, aktin në fjalë e ka dërguar në Ministrin e Drejtësisë e cila është kompetente të dërgoj lëndën në gjykatën kompetente siç përcaktohet me nenit 9, pika 4 të Ligjit Nr.08/L-284 Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Kuvendi Komunal në Pejë, miratoi vendimin për këmbim të pronës, ndonëse të gjitha pronat e pronarëve në total,  nuk arrinin shumën e vlerës së pronës komunale. Dhe, të njëjtit sipas vendimit ishin të obliguar të paguanin diferencën e shumës totale.

MAPL, në arsyetimin e dërguar Komunës së Pejës për kundërligjshmëri të vendimit, thotë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se komunat kanë të drejtë të shesin dhe japin me qira pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme sipas ligjit, me përjashtim të shitjes së tokës e cila rregullohet me ligj të posaçëm.

“Në rastet kur prona e komunës është vlerësuar me çmim më të lartë nga Divizioni për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme për Shpronësim dhe Këmbim në Ministrinë  e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe kufizimin ligjor që komuna nuk mund ta shes pronën e paluajtshme, MAPL kërkon nga Komuna e Pejës që këmbimi i pronave të realizohet ashtu siç e përcakton ligji në fuqi, që do të thotë se pronat e komunës në aspektin financiar të jenë të barazvlefshme apo me vlerë fininaciare më të ulët se pronat e personave fizik dhe juridik që janë në objekt këmbimi”, thuhet në arsyetimin e MAPL-së dërguar Komunës së Pejës.

Në një përgjigje për Betimi për Drejtësi, Avokatura Shtetërore, ka treguar se sipas kërkesës së MAP-së ka ndërmarrë veprime ligjore lidhur me rastin.

Konkretisht, ky organ me datë 17 korrik 2025 ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative.

Në një përgjigje për Betimi për Drejtësi, zyra për informim dhe komunikim me media e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se lënda është pranuar më 17 korrik 2025 dhe se gjykata në vazhdimësi vepron sipas lëndëve në bazë të numrit dhe kohës së dorëzuar në gjykatë.

Andaj, lidhur me lëndën në fjalë, siç thuhet në përgjigje ende nuk janë marrë veprimet procedurale, duke marr parasysh se ka lëndë më të vjetra.

Lexo përditësimet tjera
betimi

Nga ujë në beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës

“Betimi për Drejtësi sjell hulumtimin mbi procesin e këmbimit të një prone komunale në vlerë afër...