Hulumtimi disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbuloi një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë aktvendimin e Drejtorisë për Çështje Pronsoro-Juridike, të datës 25 tetor 2019, janë gjithsej 32 parcela që janë evidentuar si Pronë Shoqërore “Ujërat”, e që nga destinimi i ujërave, të njëjtat u shndërruan në tokë ndërtimore.
Në vendimin e 2019-ës, ishte e përfshirë edhe prona që u miratua për këmbim më 17 prill 2025 në Kuvendin Komunal të Komunës së Pejës.
Betimi për Drejtësi, ka marrë edhe një version të kryetarit Gazmend Muhaxheri në lidhje me propozimin dhe votimin e këmbimit të pronës afër dy milionshe.
Intervistë: Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës në Pejë
Gazetarja: Përshëndetje kryetar, si je? Shpresa, gazetare prej Betimit për Drejtësi.
Muhaxheri: Po?
Gazetarja: Nëse ka mundësi veç dy – tre pyetje. Ju kemi telefonu edhe gjatë ditës së djeshme…
Muhaxheri: Jo. Jo nuk ka hiç, nuk ka hiç.
Gazetarja: A mundeni me na tregu me 17 prill e keni këmby një pronë…
Muhaxheri: Jo kurgjo, hiç kurgjo s’mundem..
Gazetarja: Një pronë, tek ish – Ambienti, në të cilën jeton edhe familja Mataj. A mundeni me na tregu se mbi çfarë baze…
Muhaxheri: Jo nuk është këmby, s’është këmby
Gazetarja: Pse nuk është këmby? Po ju e keni votu.
Muhaxheri: E kemi votu, por s’janë kry procedurat
Gazetarja: E pse e keni qitë në votim, a mendoni që është e kundërligjshme?
Muhaxheri: Sepse është pronë komunale
Gazetarja: A mendoni që është e kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo
Gazetarja: Pse?
Muhaxheri: Pse është pronë komunale
Gazetarja: Ideja është që Ministria e Mjedisit, po thotë që ajo pronë është në “P.sh Ujërat”, e që pastaj është në dikasterin e tyne me vendos…
Muhaxheri: Jo jo, nuk është. Në “Psh Ujërat”, në zonën urbane i takojnë Komunës së Pejës edhe s’kanë plotësisht të drejtë.
Gazetarja: Po na i kemi dokumentet e Ministrisë, ku dokumentet thonë që ato prona janë të Ministrisë dhe duhen me…
Muhaxheri: Jo nuk janë të Ministrisë, në zonën urbane janë të Komunës edhe s’kanë hiç drejtë edhe kurdush…
Gazetarja: Ministria thotë që pronat që kanë qenë në “Psh Ujërat” i takojnë Ministrisë së Mjedisit
Muhaxheri: “Psh Ujërat” i takojnë Komunës së Pejës në zonën urbane, prej kur hin qyteti e deri kur përfundon janë të Komunës së Pejës edhe i ndërrojmë edhe se vesim kërkond. Për të tjerat shkojmë në Gjykatë..
Gazetarja: Edhe kur Ministria thotë që janë të kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo s’ka thënë kurrë edhe s’kanë mujtë më thënë kurrë.
Gazetarja: A keni marrë vendim prej Ministrisë për pronë, e cila është këmby?
Muhaxheri: Po është marrë, është marrë aprovimi jo për këtë po edhe për të gjitha tjerat që i kemi bo.
Gazetarja: Ju se konsideroni si të kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo nuk është e kundërligjshme edhe për atë e kemi bo këtë punë, jo vetëm për këtë po edhe për shumë prona tjera.
Gazetarja: A i njihni pronarët të cilëve i’u është këmby prona?
Muhaxheri: Jo, ajo prona nuk është këmby sepse nuk është kry procedura..
Gazetarja: Pronarëve të cilëvë ka me i’u këmby pra në të ardhmen, a i njihni personalisht?
Muhaxheri: Jo.
Gazetarja: Me Qehaj-të, a keni raporte..?
Muhaxheri: Jo s’kom kurrëfare.
Gazetarja: A e dini që ata e kanë përdorë edhe paraprakisht atë pronë..?
Muhaxheri: Se di ajo ka qenë, është Ambient
Gazetarja: E kanë shfrytëzu pikërisht për çështjen e tregut i cili është mbajtë, do të thotë ata kanë marrë pagesë prej personave që kanë ardhë aty për shitje…
Muhaxheri: Ajo pronë.. ata e kanë ish tregun e kanë privatizu edhe kanë mujtë me përdorë ndoshta këto
Gazetarja: Do të thotë ka qenë e privatizume prona..
Muhaxheri: Tek tregu në anën e kundërt, ka ku qenë tregu i qytetit…
Betimi për Drejtësi ka dërguar kërkesë për intervistë dhe informata tek kryetari Gazmend Muhaxheri, Rexhep Kurtbogaj, kryesues i Kuvendit Komunal në Pejë dhe tek Luan Gashi, udhëheqës i sektorit në Drejtorinë për Çështje Pronsoro-Juridike.
Por, në një përgjigje Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit, ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente dhe si rrjedhojë, siç thuhet në shkresën elektronike nuk mund të shpalosen detaje të tjera.