Tender mbi tender ka hapur Ministria e Shëndetësisë për të mundësuar realizimin e projektit për ndërtimin e QKMF-së së re në Drenas. Punimet në projektin rreth 3 milionësh kanë mbetur në fazën fillestare për shkak se Ministria e Shëndetësisë ka gjetur mangësi
Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së së re në Drenas, i nisur në fund të 2024-tës me vlerë rreth 3 milionësh, ka mbetur ende në fazën fillestare.
Objekti i ri është planifikuar të ndërtohet brenda oborrit të QKMF-së së vjetër, por gropa që është bërë në fillim të punimeve ka bërë që hapësira përreth kësaj të fundit të ngushtohet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtorit QKMF-së, Ismet Bogiqi, ka thënë se mospërfundimi i punimeve po u shkakton telashe.
“"Probleme të themi kushtimisht nuk ka shkaktuar të mëdha, por ka shkaktuar pengesë, për shkak të zvogëlimit të hapsirës për automjete të pacientëve dhe ambulancave. Neve na shkakton vështirësi vetëm kjo pjesa e parkingut, kur te rregullojmë pjesën e parkingut kurdo që të jetë momenti le ta fillojnë ne nuk na pengon asgjë", ka thënë Bogiqi.
Punimet në ndërtim sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kanë ngecur si pasojë e mangësive të gjetura në projekt.
E në pyetjen e KOHËS nëse është bërë një vlerësim paraprak i projektit para se të hapet procedura e prokurimit, MSH-ja është arsyetuar kështu.
“Në kohën e pranimit të projektit, MSH ka pasur mungesë të stafit inxhinierik dhe nuk ka arritur t’i evidentojë defektet e projektit të dorëzuar nga Drenasi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
E në Komunën e Drenasit nuk kanë kthyer përgjigje nëse ata kanë bërë vlerësim para se MSH-ja ta shpallte këtë tender.
Mungesa e inxhinierëve që pamundësoi vlerësimin paraprak të projektit të Ministrisë së Shëndetësisë i ka kushtuar me një tender të ri në vlerë të 6 mijë eurove. Me këto mjete do të vlerësohet projekti i kësaj QKMF-je që për momentin ka mbetur gati në letër.
Por tenderi që lidhet me vlerësimin e projektit është shoqëruar me parregullsi.
Kjo pasi Ministria ka shpërblyer me kontratë grupin e operatorëve ekonomik që në shqyrtimin e parë të ofertave u eliminua, nën arsyetimin se oferta ishte e papërgjegjshme.
“Oferta juaj është e papërgjegjshme, pasi nga lista e projekteve të realizuara vërehet qartë se nuk ka kontrata të realizuara në fushën e kërkuar ‘projektim ose revidim’ në një projekt nga sektori i shëndetësisë (QKMF, objekt spitalor apo klinikë); Po ashtu ne listën e stafit profesional të angazhuar për këtë projekt si arkitekt i kompanisë figuron Valon Elshani, ku të njëjtit i mungon CV-ja”, thuhet në arsyetimin e MSH-së.
Ndaj këtij vendimi, grupi i operatorëve ekonomikë fitues më 29.09.2025 kishte bërë kërkesë për rishqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë. MSH-ja më 02.10.2025 e kishte cilësuar si të bazuar kërkesën e tyre. Por më 22.10.2025, ministria vendosi kundër vendimit të saj paraprak dhe sërish ofertën e këtij grupi të OE e cilësoi si të papërgjegjshme.
Ndaj vendimit të MSH-së grupi i operatorëve ekonomikë u ankuan në OSHP e i cili e aprovoi ankesën dhe e detyroi Ministrinë që ta kthejë lëndën në rivlerësim.
Ministria e Shëndetësisë më 5 shkurt të këtij viti ka shpërblyer me kontratë këtë grup të operatorëve ekonomikë, që ka kohë një muaj që ta hartojë ekspertizën mbi projektin për ndërtimin e QKMF-së në Drenas.
Komuna e Drenasit vazhdon të operojë me QKMF-në e vjetër që ka nisur të funksionojë që nga viti 1982.