Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tri ankesat në OSHP bllokojnë vazhdimin e punimeve për Klinikën Emergjente

Klinika Emergjente

Ndërtimi i objektit të ri të Klinikës Emergjente i nisur në vitin 2015 ende nuk ka përfunduar shkaku i procedurave të prokurimit. Vazhdim i punimeve është pezulluar pas tri ankesave të dorëzuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ku operatorët pjesëmarrës pretendojnë favorizim të grupit të operatorëve fitues.

I nisur para 11 vjetësh, ndërtimi i objektit të ri të Emergjencës në QKUK nuk ka përfunduar. Aktualisht, tenderi i fundit për vazhdimin e punimeve është bllokuar nga tri ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ministria e Shëndetësisë e kishte hapur procedurën e prokurimit në tetor të vitit të kaluar për të vazhduar ndërtimin e këtij objekti, ku që nga viti 2019 janë realizuar vetëm punimet e vrazhda.
Objekti fillimisht ishte planifikuar të përfundohej brenda tre vjetësh me kosto rreth 8 milionë euro, por sipas dosjes së tenderit të ri, vlera e përgjithshme e projektit pritet të arrijë në afro 21 milionë euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dosjen është specifikuar se grupi i operatorëve ekonomik (GOE) duhet të dëshmojnë se kanë realizuar me sukses projekte të ngjashme me vlerë të madhe.

Por në ankesën e dorëzuar, grupi i operatorëve ekonomikë ankues “NIKA PRO, ING, AKTIV, ANION MEP CONTRACTING” thotë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nuk e ka përmbushur këtë kriter.

“Operatori Ekonomik i rekomanduar nuk ka arritur të përmbushë këtë kërkesë të dosjes së tenderit, pasi që, edhe pas dorëzimit të sqarimeve të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues, ka paraqitur vetëm paramasë të punëve të kryera, të cilat nuk plotësojnë kriteret për projekte spitalore me punime të lidhura me X-ray, gaz medicinal, ventilim, klimatizim dhe dyer X-ray automatike. Për rrjedhojë, konsiderojmë se GOE i rekomanduar nuk plotëson kriteret e përcaktuara në kërkesën 2, duke mos përmbushur objektivin teknik dhe profesion të procedurës së prokurimit”, shkruan në ankesën e GOE.

Në Ministrinë e Shëndetësisë janë arsyetuar duke theksuar se bëhet fjalë për një keqkuptim nga palët e tjera.

“Ka qenë një keqkuptim edhe nga palët e tjera për këtë pikë, konkretisht termi “kontratë me vlerë të madhe” dhe “projekt me vlerë të madhe”, kriteri ne tender ka qenë për projekt spitalor e jo kontratë. Kontrata me vlerë të madhe kategorizohet sipas LPP-së, e barabartë ose mbi 500,00 euro, ndërsa Projektin me vlerë të madhe e përcakton autori i projektit-projektuesi dhe vlera e këtij projekti nga projektuesi ka qenë 750,000.00 €. Sidoqoftë, edhe ky është pretendim ankimor ne OSHP dhe pritet shqyrtimi nga ana e OSHP-së, andaj në këtë fazë ne nuk mund të komentojmë më shumë rreth këtij pretendimi ankimor..”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ky grup operatorësh gjithashtu pretendon se fituesi i këtij tenderi nuk ka përmbushur kërkesën e dosjes së tenderit, e cila parashikon të paktën 40 anëtarë të stafit teknik.

“Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë ka prezantuar, sipas listave dhe kontratave të dorëzuara, vetëm 39 (tridhjetë e nëntë) anëtarë të stafit teknik, çka nuk përmbush kërkesën minimale të përcaktuar në Dosjen e Tenderit. Megjithëse në listat e stafit të paraqitura janë deklaruar 48 (dyzet e tetë) persona si staf teknik, nga verifikimi i kontratave të bashkangjitura rezulton se vetëm 39 persona janë të angazhuar realisht si staf teknik. Nëntë (9) persona të tjerë i përkasin stafit administrativ dhe stafit profesional (inxhinierë, etj.), të cilët nuk mund të pranohen si staf teknik, sipas përkufizimeve dhe kërkesave të Dosjes së Tenderit. Po ashtu, nuk është përmbushur kërkesa për dorëzimin e CV-ve të nënshkruara nga vetë tekniku, pasi që për një pjesë të stafit teknik mungojnë CV-të e nënshkruara, duke e bërë dokumentacionin e paraqitur të paplotë dhe të papranueshëm”, thuhet në ankesën e këtij grupi te operatoreve.

E grupi tjetër ankues i OE “ACELER INSAAT” pretendon se kërkesa për sqarim nga MSH-ja është refuzuar si jashtë afatit.

Sipas tyre edhe një operator tjetër, po ashtu jashtë afateve, është lejuar.

“Nëse një operator penalizohet për vonesë (jashtë afatit), atëherë i njëjti standard duhet të zbatohet për të gjithë operatorët, pa përjashtim. Lejimi për disa operatorit që të modifikojë ofertën pas afatit, ndërkohë që operatorëve të tjerë u refuzohet çdo e drejtë procedurale për të njëjtin shkak, krijon dyshime serioze për favorizim të qëllimshëm të operatorit fitues. Prandaj, që në fazën e përgatitjes së dosjes së tenderit, janë shfaqur indikacionet se ku do të shkojë kontrata”, kanë thënë grupi i operatorëve  ankues “ACELER INSAAT”.

Në MSH i kanë mohuar këto akuza ndërsa ka theksuar se operatorët e eliminuar kanë pasur mangësi të shumta.

“Ofertat e eliminuara kanë shumë arsye për eliminim të tyre, andaj edhe komisioni vlerësues nuk e ka parë të nevojshme të kërkojë sqarime për ofertat të cilat janë konstatuar të papërgjegjshme dhe me mangësi të shumta të cilat nuk mund të mbulohen me sqarime shtese”, ka thënë në përgjigje Ministria e Shëndetësisë.

Sipas dokumentacionit të tenderit, zbatimi i këtij projektit parashikohej të zgjaste dy vjet e gjysmë.

Edhe në 2 prill të 2024-tës, Ministria e Shëndetësisë për vazhdimin e projektit e pati zgjedhur një kompani, me ofertë në vlerë gati 20 milionë euro.

Ky proces, fillimisht u pezullua shkaku i disa kërkesave për rishqyrtim e më pas u anulua, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Klinika e re Emergjente është paraparë të ketë një sipërfaqe bruto prej 17.359 metrash katrorë, 20 salla operacionesh të kategorive të ndryshme dhe shërbime të tjera që lidhen me kujdesin shëndetësor emergjent.

Në objektin e Emergjence, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 2015, është paraparë edhe një pistë për aterim helikopterësh.